Zbulohen emrat e kandidatëve të PD për deputet, kjo është arsyeja pse mungon Sali Berisha në listën e Tiranës

Ditën e sotme Partia Demokratike ka zbardhur sot 140 emrat të cilët do të kandidojnë për t’u futur në listat e demokratëve për zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërsa në listë vëmë re një larmishmëri emrash, ish-drejtues në kohën e Berishës, apo edhe personazhe të tjerë nga bota e artit dhe sportit, si: aktori i humorit, Julian Deda, futbollisti, Andi Lila, aktori dhe regjisori, Robert Budina, atletja Koldiana Shala, ajo çka bie në sy është mungesa e emrit të Sali Berishës.

Ish-kryeministri nuk është pjesë e listës dhe ka një shpjegim për këtë. Drejtues, por edhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave në PD, bën me dije që në fillim të garës se pjesë e përzgjedhes së kandidatëve për deputet nuk do të jenë antarët e kryesisë apo figurat që kanë bërë histori në PD.

Këtu përfshihet ish-lideri demokrat Sali Berisha, por edhe disa emra të tjerë si kryetari i PD, Lulzim Basha, dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, si dhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi. Këta personazhe do të futen automatikisht ne lista, pa kaluar nga fazat me të cilat PD ka vendosur të kalojë kandidatet e mundshëm për deputetë.

Kujtojmë se, në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se Berisha do të garojë sërish për deputet në zgjedhjet e 25 prillit në zonën që ai të dëshirojë. Në këtë mënyrë, pritet në fund të të gjithë procesit, ish-kryeministri të përzgjedhë vetë qarkun ku do të kërkojë që të kandidojë.