Zbardhen detajet kush është iraniani që u fut në të dhënat kompjuterike të shqiptarëve

Bijon Pooladrag është 45 vjeçari iranian i arrestuar dy ditë më parë në Shqipëri, pasi akuzohet se ka ndërhyrë në të dhënat kompjuterike të shqiptarëve në mënyrë të paligjshme. Gjykata e Tiranës dha sot masën e arrestit me burg ndaj tij. Hetimet kanë zbuluar se ai komunikonte përmes një aplikacioni me emrin Telegram, të cilin e përdorte duke e lidhur me numra të telefonëve celularë të personave të tjerë. Ai arrinte të merrte kodin e verifikimit të aplikacionit në forma të ndryshme, dhe më pas aktivizonte aplikacionin në aparatet e tij kompjuterike.

Në kontrollin e shtëpisë ku jetonte me qera, u gjetën 4 telefonë, një USB, tre dokumente udhëtimi, 10 karta SIM dhe dokumente të tjera.

Por si ra policia në gjurmët e 45 vjeçarit:

Dyshohet se ai kishte ardhur në vendin tonë për të përgjuar muxhahedinët që prej vitesh qëndrojnë në Manzë. 45 vjeçari jeton në një familje shqiptare nga janari duke paguar qira prej 10 mijë lekësh të rinj. Ai ka thënë se u largua nga Irani për shkak të regjimit politik dhe se organizata iraniane këtu jep ndihmë ekonomike prej 300 eurosh.

Vajza e vogël e zonjës së shtëpisë ku jetonte iraniani ka parë që disponon adresë personale në Telegram pavarësisht se nuk e ka hapur vetë. Ajo ka tentuar të komunikojë me motrën dhe kunatin nëse e kanë hapur ata. Ajo ka gjetur disa biseda në gjuhën iraniane të cilat i ka bërë screenshoot.

Pas tre ditësh bisedat janë fshirë. Vajza dyshoi te 45 vjeçari për shkak se bisedat ishin në gjuhën iraniane ndërsa telefonin e mbante për arsye sigurie.