Washingtoni shpall zbulimin e rëndësishëm për trajtimin e COVID-19, Trump: Moment historik

Shtëpia e Bardhë njoftoi sonte miratimin nga FDA të përdorimit të plazmës për kurimin e Covid-19. Zyrtarë të FDA dhe Presidenti Donald Trump dolën pak pas mesnatës ora shqiptare dhe 18.15 ora e Uashingtonit, për të kumtuar atë që Trump e konsideroi një “zbulim tejet të rëndësishëm që lidhet me një terapi” për trajtimin e koronavirusit.

Trump tha se FDA ka autorizuar përdorimin në masë të plazma për shërimin e të sëmurëve me ChinaVirus, siç e quajti z.Trump, virusin Sars Cov2. Zyrtari i FDA, në vijim të lajmit që dha Trump, detajoi se ata persona të cilët ishin të infektuar me koronavirus dhe e luftuan atë, duhet të dhurojnë gjak. Kjo sepse gjaku i tyre përmban antitrupa që luftojnë COVID-19.

Gjithsesi, ashtu si FDA, edhe presidenti amerikan Trump pohoi se nëse plazma funksionon, mund të ulet deri 35 për qind numri i vdekjeve nga Covid-19. Pandemia ka shkaktuar deri tani më shumë se 180 mijë të vdekur në SHBA dhe ka infektuar mbi 5.8 milionë të tjerë, më shumë se në çdo vend tjetër të botës.

Por për Trump, situata është më e mirë se vendet e tjera. Trump tha para gazetarëve se Bashkimi Europian ka tre herë më shumë të vdekur se SHBA. Në të vërtetë vendet e Evropës në tërësi numërojnë 205 mijë të vdekur dhe 3.3 milionë të infektuar. /noa.al/