Verifikimi i 2 kryebashkiakëve të njohur, zhgënjehet PD-ja, i dërgon letër urgjente kryeprokurorit

Partia Demokratike i ka dërguar një letër Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, sipas së cilës kjo Prokurori ka penguar dekriminalizimin. Asnjë përgjigje për Mark Babanin, Vaut i Dejës dhe Qerim Ismailaj, Mallakastër. Zyra e Kryeprokurorit ka refuzuar transparencën e procesit Nën drejtimin e prokurorisë nga Olsian Çela, dekriminalizimi u deformua, u frenua, u pengua. PD 3 kërkesa për prokurorinë, informacion, transparencë dhe përfundim të verfikimit”, thuhet në letër.

Në këtë letër thuhet se PD kërkon nga prokuroria;

Informacion të detajuar për të gjitha veprimet administrative që janë kryer deri në këtë moment për shqyrtimin e kërkesës për verifikimin e figurës së shtetasve Mark Babani dhe Qerim Ismailaj.
Informacion mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i verifikimit dhe arsyet e vonesës 1 vjeçare.
Përmbylljen e procesit të verifikimit dhe një reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, të largojë personat me të kaluar kriminale, duke i penguar që të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje.
“Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka refuzuar në vijimësi të bëjë transparencë dhe të përcjellë informacion zyrtar mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i verifikimit dhe arsyet e vonesës së miratimit të rezultateve të verifikimit. Për fat të keq, konstatojmë se me ardhjen tuaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, procesi i verifikimit të figurës së zyrtarëve publikë është frenuar dhe ju jo vetëm keni deformuar/ndryshuar mënyrën e zbatimit të ligjit (siç ishte rasti i shtetasit Agron Malaj), por po pengoni tërësisht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Ky është një zhgënjim i madh për qytetarët dhe secilin prej nesh, që priste korrektësi në përmbushjen e detyrës kushtetuese nga Prokurori i Përgjithshëm, i zgjedhur pas hyrjes në fuqi të Reformës në Drejtësi. ”- thuhet në letrën që Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi i ka dërguar sot kryeprokurorit për këtë çështje. Në letër renditen tre kërkesa që kanë të bëjnë me dhënien e informacionit për ecurinë e verifikimit, arsyet e vonesës 1 vjeçare dhe përfundimin e verifikimit sipas frymës së ligjit të dekriminalizimit. Ky ligj ka për qëllim të largojë personat me të kaluar kriminale, duke i penguar që të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje.”-shprehet Bardhi.

LETRA E PLOTË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE , GAZMENT BARDHI PËR PROKURORIN E PËRGJITHSHËM

Z. Prokuror i Përgjithshëm,

Në përputhje me ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Partia Demokratike e Shqipërisë ka përcjellë kërkesë për verifikimin e figurës:

Më datë 10.10.2019 për shtetasin Mark Babani, kandidat për Kryetar i Bashkisë Vau i Dejës;
Më datë 08.01.2020 për shtetasin Qerim Ismailaj, kandidat për Kryetar i Bashkisë Mallakastër.
Në përputhje me ligjin nr. 138/2015, kërkesa, drejtuar Prokurorisë, është shoqëruar edhe me firmën e 500 qytetarëve.

Sipas vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, verifikimi përmbyllet brenda një afati 3-mujor nga momenti i ardhjes së kërkesës për verifikim, me përjashtim të rasteve kur Prokurori i Përgjithshëm vendos zgjatjen e këtij afati, kur është e nevojshme që të pritet përgjigje ndaj kërkesave për verifikime të hollësishme pranë organeve të juridiksioneve të huaja, kur ka informacione dhe është e nevojshme që verifikimi të kryhet edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Edhe pse kemi kërkuar disa herë, zyrtarisht, informacion mbi ecurinë e procesit të verifikimit dhe, pavarësisht se është bërë rreth një vit nga paraqitja e kërkesës, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka refuzuar në vijimësi të bëjë transparencë dhe të përcjellë informacion zyrtar mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i verifikimit dhe arsyet e vonesës së miratimit të rezultateve të verifikimit.

Për fat të keq, konstatojmë se me ardhjen tuaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, procesi i verifikimit të figurës së zyrtarëve publik është frenuar dhe ju jo vetëm keni deformuar/ndryshuar mënyrën e zbatimit të ligjit (siç ishte rasti i shtetasit Agron Malaj), por po pengoni tërësisht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Ky është një zhgënjim i madh për qytetarët dhe secilin prej nesh, që priste korrektësi në përmbushjen e detyrës kushtetuese nga Prokurori i Përgjithshëm.

Përsa më lart, nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe qytetarëve që kanë nënshkruar kërkesën për verifikim,

KËRKOJMË NGA PROKURORIA E PËRGJITHSHME:

Informacion të detajuar për të gjitha veprimet administrative që janë kryer deri në këtë moment për shqyrtimin e kërkesës për verifikimin e figurës së shtetasve Mark Babani dhe Qerim Ismailaj.
Informacion mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i verifikimit dhe arsyet e vonesës 1 vjeçare.
Përmbylljen e procesit të verifikimit dhe një reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, të largojë personat me të kaluar kriminale, duke i penguar që të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje.
Duke ju uruar punë të mbarë,

Sekretari i Përgjithshëm

Gazment BARDHI