Vaksina kundër koronavirusit është gati, e ka përshëndetur edhe Trump edhe Biden

Lajmi më i mirë i këtyre ditëve ka pushtuar ditën e djeshme të gjithë mediat botërore, duke ndezur një shpresë aq të nevojshme në këto kohë kovidiane. Një deklaratë e kompanisë amerikane Pfizer dhe asaj gjermane BioNTech, të cilët janë edhe zhvilluesit e kësaj vaksine, bënë me dije se vaksina e tyre është e para që mund të parandalojë infektimin për mbi 90% e personave të cilët kanë kontakt me virusin. “Kjo është një ditë e madhe për shkencën dhe njerëzimin.

Grupi i parë i rezultateve nga testimi i gjerë ofron provat fillestare të aftësisë së vaksinës tonë për të parandaluar koronavirusin”, tha Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer. Në përgjithësi ekspertët e huaj kishin vlerësuar se një vaksinë mund të rezultojë efektive me 80 për qind. Kjo vaksinë është testuar në 43.500 njerëz në gjashtë vende dhe thuhet se nuk ka shqetësime për sigurinë. Kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës në fund të muajit. Aktualisht, janë dhjetëra vaksina që kanë arritur fazat finale të testimit, por kjo është e para që tregon rezultate. Ajo përdor një qasje plotësisht eksperimentale – që përfshin injektimin e një pjese të kodit gjenetik të virusit për të trajnuar sistemin imunitar. Do të duhen dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh, dhe, sipas kompanive farmaceutike, njerëzit do të jenë të mbrojtur një javë pas dozës së dytë, saktësisht 28 ditë pas fillimit të dozës së parë. Vaksina është testuar në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Brazil, Argjentinë, Afrikë të Jugut dhe Turqi.

“Pfizer” beson se do të jetë në gjendje të sigurojë 50 milionë doza deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliard deri në fund të vitit 2021. Bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i BioNTech, Ugur Sahin, tha për Reuters se është optimist që vaksina eksperimentale kundër koronavirusit, do të na mbrojë së paku një vit. Ndërkohë, lidhur me këtë lajm janë deklaruar edhe Donald Trump dhe Joe Biden. Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, përshëndeti dje lajmin, megjithatë paralajmëroi se përpara është akoma një betejë e gjatë. Ai foli ndërsa tregjet e aksioneve evropiane dhe çmimet e naftës u rritën pas njoftimit për përparimin e bërë në drejtim të zbulimit të vaksinës. Edhe zoti Trump e ka mirëpritur deklaratën e kompanive krijuese të vaksinës. “Tregu i aksioneve është lartë. Vaksina po vjen shpejt.

Raportohet se është 90 për qind efektive. Sa lajme të mira”, ka shkruar ai në Twitter. OBSH optimiste për zgjedhjen e Biden Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e ka mirëpritur Joe Biden si president të zgjedhur të SHBA-së, duke thënë se mezi pret që të punojë shumë ngushtë me administratën e tij. Kjo vjen deklaratë vjen pas ndërprerjes së fondeve që SHBA derdhte në fondin e OBSH, nga ana e presidentit Trump. Trump gjithmonë e ka konsideruar OBSH si një organizatë të dominuar nga Kina, gjë e mbështeste edhe në faktin se asnjë veprim nuk u mor nga OBSH kundër Kinës, pavarësisht se sipas Trump ai ishte shteti përgjegjës që lejoi që bota të përfshihet nga pandemia. Biden prezanton Task Forcën anti Covid Zoti Biden njoftoi dje përbërjen e një grupi pune të ekspertëve shëndetësorë, të cilët do të planifikojnë luftën kundër pandemisë.

“Përballja me pandeminë është një nga betejat më të mëdha që do të hasë qeveria jonë dhe unë do të dëgjoj shkencën dhe ekspertët. Grupi i punës do të ndihmojë në formësimin e qasjes time për të menaxhuar rritjen e infeksioneve të reja, duke siguruar që vaksinat të jenë të sigurta, efektive, efikase, të shpërndara në mënyrë të barabartë dhe falas, dhe mbrojtjen e grupeve me rrezik të lartë”, tha Biden. Grupi do të bashkë-kryesohet nga Vivek Murthy, njeriu i parë amerikan i shëndetit publik në mandatin e Barack Obamas, i cili u shkarkua nga Donald Trump dhe ish-kreu i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA), David Kessler. Ndërkohë kreu aktual i grupit të punës për luftën kundër koronavirusit, dr. Anthony Fauci nuk është emëruar ende në trupin e Bidenit.