Ushtria merr nën kontroll aeroportin, përzihen kontrollorët dhe nis shoqërimi në polici, priten specialistë nga jashtë

Ushtria ka marrë dje nën kontroll aeroportin e Rinasit. Pas pezullimit të punës nga kontrollorët në ambientet e aeroportit ka shkuar Policia Ushtarake dhe Policia e Shtetit për të garantuar sigurinë pas bojkotimit të punës nga kontrollorët e kompanisë së aviacionit civil AlbControl.

Kjo lëvizje nga ana e ushtrisë u bë pasi aeroporti i Rinasit është objekt strategjik me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare. Fillimisht u larguan nga pozicionet e punës kontrollorët e turnit të paradites, ndërsa ata të turnit të pasdites nuk u lejuan të futen brenda.

Kontrollorët pretendojnë se nuk janë në greve pasi janë në vendin e tyre të punës, por kulla e kontrollit në Aeroport u mor në dorëzim nga ushtria dhe policia. Sipas burimeve, nëse deri sot paradite kontrollorët nuk rikthehen në punë do të ndiqen dy strategji, së pari situatën do e marrë në dorë ushtria duke futur ekspertët e saj.

Ushtria shqiptare ka një grup kontrollorësh të trajnuar nga NATO në raste lufte dhe ata mund ta bëjnë fare mirë punën sa të zgjidhet situata. Por elementi i dytë që ka më shumë gjasë të ndodhë është marrja e kontrollorëve nga jashtë.

Sipas burimeve, dje qeveria shqiptare ka nisur kontaktet me dy shtete partnere afër nesh dhe me shumë gjasa ta do të sjellin nga një grup kontrollorësh për të menaxhuar trafikun ajror. Ndërkohë në mbrëmje është vënë në lëvizje prokuroria pas një padie nga Ministria e Transportit. Një prej kontrollorëve është shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje.

Ai dyshohet se është një ndër nxitësit e grevës dhe rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Pritet shoqërimi në polici dhe i emrave të tjerë. Në një deklaratë për mediat, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku paralajmëroi se me bllokimin e trafikut ajror në Rinas nga greva e kontrollorëve do të merren masa ligjore, pasi ky është cenim i sigurisë kombëtare.

Sipas saj Policia do të bëjë detyrën e saj për të liruar ndërtesën nga ata kontrollorë të cilët kanë vendosur të mos punojnë më si të tillë.

“Për shkak të papërgjegjshmërisë tuaj, na lind e drejta që mos të kemi më besim tek ju ndaj mund të kryeni dhe aksione shumë më të rrezikshme për hapësirën shqiptare dhe për popullin shqiptar. Ndaj nga ky moment ndërtesa do të merret në ruajtje nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Nga ky moment Policia e Shtetit do të bëjë detyrën për të liruar ndërtesën nga ata kontrollorë që kanë vendosur që të mos jenë më kontrollorë. Të gjithë të tjerët, vajza e djem që janë rritur në AlbControl shpresoj që t’i kthehen detyrës dhe të harrohet sa më shpejt kjo histori”, tha ajo.