U nis drejt Turqisë pasi u infektua me koronavirus, Myftiu shqiptar zbulon si është gjendja e tij shëndetësore dhe ndan mesazhin rëndësishëm

Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari është dërguar në Turqi për trajtim të specializuar pasi është infektuar me Covid-19. Myftiu ka folur për gjendjen e tij, ku tha se po ndjek protokollet shëndetësore së bashku me babain e tij, i cili po ashtu është i infektuar.

Gjithashtu, në postimin e tij ai ka thënë se beson se e mira do e mundë të keqen dhe Zoti do e ndihmoje të shpëtojë nga kjo gjendje.

“Prej disa ditësh, po përballem me pasojat e covidit-19 dhe, së bashku me të shtrenjtin Haxhi Babën tim, po ndjekim protokollet e kurimit, me shpresën e madhe në Allahun e Madhëruar, që të na nxjerrë faqebardhë e të veshë me rrobat e shërimit dhe shëndetit të plotë,”- shkruan Myftiu i Shkodrës.

Mesazhi i plotë i Muhamed B. Sytari

Të dashur e të shtrenjtë vëllezër, miq, familjarë, dashamirë, kolegë, shokë të rrugëtimeve, qytetarë të zemrës, krejt të afërm të zemrës sime! Jeta e kësaj bote është vendi i sprovave, me të cilat jemi ftuar të përballemi me durim dhe besim në Zotin tonë, që na do dhe na dhuron bekime edhe nëpërmjet sprovave. Sa ëmbël e pastër e thërret i sprovuari Zotin e tij, sa nuk ka penë ta përshkruajë madhështinë e thirrjes së zemrës së thyer para duarve të Krijuesit të saj… Prej disa ditësh, po përballem me pasojat e covidit dhe, së bashku me të shtrenjtin Haxhi Babën tim, po ndjekim protokollet e kurimit, me shpresën e madhe në Allahun e Madhëruar, që të na nxjerrë faqebardhë e të veshë me rrobat e shërimit dhe shëndetit të plotë. Tashmë, kjo situatë botërore nuk është më lajm, porse, me ndihmën e Zotit, e mira do e mundë të keqen dhe fidanet e të vepërmirëve do e mposhtin kiametin e nxitësve të tij! Prandaj, të lutemi shumë dhe të jemi të vëmendshëm për fëmijët tanë, për familjen, miqtë dhe tokën tonë të shtrenjtë, Nanen tonë të përbashkët. Jam i paaftë t’ju falënderoj emër për emër e shembull për shembull për çfarë keni bërë për mua, por ju garantoj se jam krenar me miqësinë tuaj, duatë, mesazhet, përkushtimet e gatishmërinë për të qenë dorë për dorë me ne në këtë sprovë familjare.

Allahu ju dashtë e ju bekoftë! Imam Muhamed B. Sytari,”- ka shkruar ai.