Trump nuk tërhiqet, dëshiron të fitojë zgjedhjet me çdo kusht, ja si po ecën gara elektorale në Amerikë dhe si janë gjasat

Ndërkohë që thuajse e gjithë bota e ka pranuar tashmë rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe liderët botërorë kanë uruar tashmë presidentin e zgjedhur Joe Biden, Donald Trump nuk e pranon humbjen. Zyrtarët e fushatës së Presidentit Donald Trump nisën një përpjekje të re ligjore këtë javë që synon të pengojë çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në shtetin e Pensilvanisë, ndërsa presidenti vazhdon të refuzojë fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Në Ditën e Veteranëve, Presidenti Donald Trump vuri një kurorë me lule në varin e Ushtarit të Panjohur në Varezat Kombëtare të Arlingtonit ndërsa Presidenti i zgjedhur Joe Biden vizitoi memorialin e të rënëve në Luftën e Koresë që ndodhet në Filadelfia. Në një postim në Twitter Presidenti shkruante: “Ne do të fitojmë”.

Me fitoren e zotit Trump në shtetin e Alaskës ai ka tashmë 217 vota elektorale, ndërsa zoti Biden 279. Për t’u shpallur fitues një kandidati i duhen minimalisht 270 vota elektorale. Numërimi nuk ka përfunduar ende në tre shtete, Arizona, Georgia dhe Karolina e Veriut.

Krahas padive të ndryshme ligjore të paraqitura tashmë në disa shtete kyçe me pretendimin për manipulime me votat, zyrtarët e fushatës së zotit Trump kanë nisur një proces të ri gjyqësor që synon të bllokojë çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në Pensilvani. Ndërkohë dy shtete po shkojnë drejt rinumërimit, Uiskonsin dhe Georgia. “Një rezultat kaq i ngushtë, do të kërkojë një rinumërim të plotë me dorë në secilin qark.

Kjo do të ndihmonte në krijimin e besimit. Do t’i kryejmë të gjitha në një, kontrollin, rinumërimin dhe rivlerësimin e votave”, thotë Brad Raffensperger, Sekretari Shteti i Georgias. Ekipi elektoral i zotit Trump e përshëndeti vendimin. Drejtori i fushatës për komunikimin Tim Murtaugh tha se ky është një hap i parë i rëndësishëm në proces për të siguruar që zgjedhjet ishin të drejta dhe se çdo votë e ligjshme do të numërohet.

VOA raporton se deri më tani asnjë nga paditë ligjore të ngritura nga zyrtarët e fushatës së zotit Trump nuk kanë arritur të sigurojnë prova lidhur me pretendimin për mashtrime gjatë procesit të numërimit, diçka që demokratët janë të etur ta theksojnë.