‘Tërmeti më i madh i 3 dekadave’, sizmologu i njohur grek tregon si do ndikojnë për Shqipërinë lëkundjet e sotme në Turqi

Kostas Papazahos ,profesori i shquar i sizmiologjisë në Universitetin Aristotelis të Selanikut ka komentuar tërmetin e fortë që goditi sot Turqinë dhe disa ishuj grek.

Profesori tha se lëkundja e sotme është një prej tërmeteve më të mëdhenj të tre dekadave të fundit në territorin grek, i fuqisë 7 Rihter që ka shkaktuar edhe shumë lëkundje të tjera të mëvonshme, një veprimtari e cila vërtetë deri tani është me fuqi të dobët, por kjo nuk do të thotë që ky tërmet nuk do të pasohet nga tërmete të tjera që mund të arrijnë deri në 6 Rihter.

Papazahos i pyetur nga TCH sesa mundësi ka të shkaktojë ndonjë efekt tek pllakat tektonike të rajonit ballkanik dhe konkretisht në atë që prek Shqipërinë, tha:

Kostas Papazahos: Jo jo në asnjë mënyrë ,nuk ka efekt, sepse Shqipëria është shumë larg nga epiqendra. Këto lëkundej mund të shkaktojnë një efekt në zona të afërta, por në asnjë mënyrë në një zonë që ndodhet në distancë kaq të largët. Pra të mos ngatërrohemi është tjetër gjë rënia e një tërmeti të fuqishëm dhe tjetër gjë efekti që ai shkakton në distancë të largëta. Banorët në Shqipëri, padyshim që nuk duhet fare të shqetësohen se do të shkaktojë kjo lëkundje një termet aty.