Tensionet në Mesdheun lindor, Turqia njofton “hyrjen në lojë” të Rusisë

Mes tensioneve në rritje midis Turqisë dhe Greqisë mbi të drejtën për të shfrytëzuar depozitat e hidrokarbureve dhe karburanteve fosile, Ankaraja ka njoftuar se marina ruse do të mbajë manovra luftarake qitjeje në Mesdheun lindor.

Vendi ka lëshuar dy teleksa navigimi (Navtex) me paralajmërime në Mesdheun lindor, ku do të mbahen manovrat detare ruse, raporton TRT-ja turke.

Në njoftimin zyrtar thuhet se forcat detare ruse do të mbajnë manovra nga 8 në 22 shtator dhe nga 17 në 25 shtator në pjesët e Mesdheut lindor ku lëvizin anijet kërkimore turke.

TRT raporton se, sipas njoftimeve nga Departamenti i Hidrografisë dhe Oqeanografisë së Marinës Turke, forcat ruse do të kryejnë dy stërvitje të veçanta qitjeje në të dy anët e ishullit të Qipros.

Moska zyrtare deri më tani nuk i është përgjigjur njoftimit të Turqisë, i cili erdhi pasi Shtetet e Bashkuara thanë se po hiqnin pjesërisht një embargo 33-vjeçare të armëve në Qipron e ndarë etnikisht.

Duke qenë se Rusia mban një prani të konsiderueshme ushtarake në Mesdheun lindor, njoftimi i Turqisë për manovrat e ardhshme mund të interpretohet si një mesazh i drejtpërdrejtë nga Moska se është ende fuqia më e fortë rajonale, e cila nuk i nënshtrohet rrezikut të heqjes së pjesshme të embargos amerikane ndaj Qipros.