Tensionet në Mesdhe, Greqia nis stërvitjen ushtarake, Turqia merr vendimin e menjëhershëm

Greqia bëri me dije se të martën një stërvitje ushtarake me përfshirje të marinës dhe forcës ajrore në një zonë të Mesdheut lindor, ku Turqia po kërkon për naftë dhe gaz.

Autoritetet greke sqaruan se manovrat do të nisin në juglindje të ishullit të Kretës, pikërisht zona ku Turqia ka dërguar një anije kërkimore të shoqëruar nga anijet luftarake që hulumtojnë për kërkimet e naftës dhe gazit. Ankaraja deklaron se akvititetet e saj atje do të vazhdojnë deri në fundin e muajit gusht. Ndaj demonstrimit të forcës nga ana e Greqisë, mediat shtetërore turke reaguan me njoftimet se vendi është duke forcuar ndjeshëm flotën e tij.

Veç Yavuzit e Fatihut, Ankaraja bleu dhe një anije të tretë kërkimore, Kanunin, pajisjet e së cilës mund të arrijnë në një thellësi prej 11.400 metrash e të shpojnë 3.000 metra nën shtratin e detit. Kanuni nisi punën në gusht në portin e Incekumit dhe deri në fund të vitit, pritet të jetë gati për t`u dërguar në Mesdheun Lindor.

Pas njoftimit të Athinës për stërvitjen detare, Ankaraja vendosi që edhe aktivitetet e një anijeje tjetër të këtij lloji, MTA Oruç Reis, të cilat ishin pezulluar, të rinisin sa më shpejt. Qeveria turke i kundërshton pretendimet e Greqisë për të drejtat ekskluzive në ujërat ku po zhvillon kërkime, duke argumentuar se ishujt nuk duhet të përfshihen në llogaritjen e kufijve të detit mes vendeve.