Të bllokuar nga Covid, iu ka mbaruar leja apo viza? Vjen njoftimi i rëndësishëm për shqiptarët

Ambasada shqiptare në Rusi ka shpërndarë një njoftim të ministrisë së Jashtme të Rusisë, ku bën me dijeni se çdo qytetar shqiptar që ndodhet në Rusi dhe i kanë mbaruar afatet e qëndrimit apo leja e qëndrimit, mund të vijojë të qëndrojë ose të kthehet në vendin e tij, pa pasur nevojë të rinovojë dokumentet.

Njoftimi thekson një dekret të Presidentit rus, Vladimir Putinit, i cili ka ndryshuar afatet e vlefshmërisë të dokumenatave në vijim: viza, leje qëndrimi e përkohshme, leje qëndrimi e përhershme, kartë e migracionit dhe vulat në të, pezullohen deri më 15.12.2020 . Pra kush ka marrë ekspuls për t’u larguar apo i kanë skaduar dokumentet mund të rrijnë deri në 15 dhjetor pa problem. Ndërkohë kush do të kthehet pa tranzit nga Moska në Tiranë mund ta bëjë thjesht me pasaportën e udhëtimit. Në Rusi ka një sasi të konsiderueshme studentësh shqiptarë që ndjekin studimet në disa universitete të njohura të Federatës, edhe si pasojë e një programi busash që ambasada ndaj ndaj një numri studentësh shqiptar.

Por në Rusi, marrëdhënie ka Kisha Ortodokse, e cila operon ngushtë me Patriarkatën e Rusisë, por edhe kompani biznesi, megjithëse prej vitit 2015 Shqipëria zbaton saknsionet e BE-së ndaj Moskës, pas pushtimit të Krimesë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Federates Ruse njofton si më poshtë vijon:
Me Dekretin e Presidentit të Federatës Ruse me nr. 580, datë 23.09.2020 për ndryshimin e Dekretit të Presidentit të Federatës Ruse me nr. 274, datë 18.04.2020, ndryshohen afatet e vlefshmërisë të dokumenatave në vijim: viza, leje qëndrimi e përkohshme, leje qëndrimi e përhershme, kartë e migracionit dhe vulat në të, pezullohen deri më 15.12.2020 (përfshirë).
Kohëzgjatja e largimit vullnetar nga Federata Ruse e shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi, ndaj të cilëve është marrë vendimi për dëbim administrativ nga Federata Ruse në formën e largimit të kontrolluar vullnetar nga Federata Ruse, për refuzimin e hyrjes në Federatën Ruse ose shpalljen si person i padëshiruar për qëndrim (banim) në Federatën Ruse, gjithashtu zgjatet deri në datën 15.12.2020 (përfshirë).

Deri më 15.12.2020 (përfshirë), ndaj shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi (me përjashtim të shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi të liruar nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, ose të cilët kanë shkelur legjislacionin për kufirin shtetëror të Federatës Ruse, ose të cilët janë kërcënim për sigurinë kombëtare të Federatës Ruse, ndër to ndryshimi me forcë i rendit kushtetues të Federatës Ruse, ose ndihma në kryerjen e akteve terroriste (ekstremiste) ose kryerja e tyre, si dhe veprime të tjera që mbështesin aktivitete terroriste (ekstremiste)), nuk merren vendime për dëbimin administrativ nga Federata Ruse në formën e dëbimit të detyruar, për dëbimin ose transferimin drejt shtetit të huaj në përputhje me marëveshjen ndërkombëtare të Federatës Ruse për ripranimin, vendimet për uljen e periudhës së qëndrimit të përkohshëm në Federatën Ruse, mbi heqjen e statusit të refugjatit, azilit të përkohshëm, mbi anulimin e vizave të lëshuara më parë, lejet e punës, patentat, lejet e qëndrimit të përkohshëm, lejet e qëndrimit të përhershëm, çertifikatat e pjesëmarrësit të programit shtetëror.

Me Dekretin e Presidentit të Federatës Ruse me nr. 580, datë 23.09.2020, në Dekretin e Presidentit të Federatës Ruse me nr. 274, datë 18.04.2020, shtohet pika sipas të cilës deri në 15.12.2020 (përfshirë), shtetasit e huaj lejohen të largohen nga Federata Ruse drejt shteteve të shtetësisë së tyre (pa tranzit nëpër territorin e shteteve të tjera të huaja) në përputhje me dokumentat e tyre të identitetit, të cilat njihen nga Federata Ruse edhe nëse afati i vlefshmërisë së tyre ka skaduar pas datës 14.03.2020.