‘Të arrestohet, mos veproni menjëherë!’, Ish-kryehetuesi Lame rrëfen telefonatat me Enverin e Ramizin për prangosjen e Kadaresë: Kur u dha urdhri, ish-diktatori porositi

Prej një distance kohore disa dekadash duket se Ismail Kadare ishte shkrimtari më i privilegjuar i regjimit komunist: udhëtime jashtë shtetit, botime, romane me protagonist Enver Hoxhën, tektuk del edhe ndonjë fotografi e tij me diktatorin, në shtëpinë e këtij të fundit.

Mirëpo, dukja nuk është gjithçka. Dokumentet e botuara gjatë viteve të fundit kanë treguar se e vërteta qëndron ndryshe. Shkrimtari jo vetëm që ishte i ndjekur, i survejuar, i vënë me “shpatulla për muri” nga “kolektivi”, – fundja si çdo shqiptar,- por edhe në rrezik serioz për jetën. Fati i tij varej në fije të perit.

Këtë na e dëshmon në vetë të parë një nga njerëzit më të pushtetshëm për dhjetë vjet me radhë gjatë diktaturës komuniste. Bëhet fjalë për ish-kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Qemal Lame, i cili sjell për publikun librin e tij “Dritëhijet e kohës: Letërsia dhe arti në diktaturë.

“Përndjekja e Ismail Kadaresë”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Neraida”. Krahas fakteve që tashmë janë bërë publike, sipas të cilave Ismail Kadare rrezikonte të dënohej në grupin e “komplotistëve”, me në krye Mehmet Shehun, Lame me përgjegjësi profesionale dëshmon se për Kadarenë kanë ekzistuar jo vetëm dosje, por urdhra konkretë arrestimi.

“Ka rëndësi të dokumentohet me objektivitet e vërteta për urdhra konkretë për arrestimin e shkrimtarit. Janë dy raste konkrete kur është diskutuar për arrestimin e Ismail Kadaresë. Në vitin 1982 u dha urdhër konkret për arrestimin, u përgatitën dokumentet ligjore, por zbatimi u anulua në momentet e fundit. Në vitin 1983 u përgatitën edhe një herë dokumentet për arrestim. Këto dokumente nuk u njoftuan dhe as u dërguan zyrtarisht në Hetuesinë e Përgjithshme”, shkruan ai në librin e tij “Dritëhijet e kohës”.

Sipas tij, kjo ishte një çështje aq me rëndësi, saqë me të po merreshin krerët më të lartë të shtetit. Nuk bëhej fjalë thjesht për krerë të Sigurimit të Shtetit apo Ministrisë së Brendshme, madje nuk mjafton as Ramiz Alia e Hekuran Isai. Ishte vetë Enver Hoxha i interesuar për këtë çështje.

Qemal Lame, ndër të tjera boton edhe pjesë të ditarit të tij, mbajtur gjatë viteve që drejtonte institucionin e Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë, qe mund t’i lexoni ne “Panorama“. Për herë të parë zbardhen biseda telefonike dhe takime me Enver Hoxhën, që urdhëronte: Të arrestohet!

QEMAL LAME

DY URDHRA KONKRETË PËR ARRESTIMIN

Ka rëndësi të dokumentohet me objektivitet e vërteta për urdhra konkretë për arrestimin e shkrimtarit. Janë dy raste konkrete kur është diskutuar për arrestimin e Ismail Kadaresë.

– Në vitin 1982 u dha urdhër konkret për arrestimin, u përgatitën dokumentet ligjore, por zbatimi u anulua në momentet e fundit.

– Në vitin 1983 u përgatitën edhe një herë dokumentet për arrestim. Këto dokumente nuk u njoftuan dhe as u dërguan zyrtarisht në Hetuesinë e Përgjithshme.

URDHRI I PARË PËR ARRESTIMIN

Ideja, formulimi dhe kërkesa për zbatimin e arrestimit është dhënë nga vetë Enver Hoxha.

E premte, më 24 shtator 1982, 20:15

Në zyrën time, si kryehetues i përgjithshëm, ra zilja e telefonit sekret të komunikimit vetëm me udhëheqjen:

-Jam Enveri, Qemal! Ramizi dhe Hekurani më raportuan për hetimet. Kanë dokumentet për atë Kadarenë. Të arrestohet! Mos veproni menjëherë! Do ta diskutojmë. Shikoji edhe ti dokumentet. Dua mendimin tënd. Mos u thuaj Ramizit e Hekuranit që biseduam bashkë.

-Si të urdhëroni ju, shoku Enver!

-Mirë. Natën e mirë!

-Natën e mirë!

E hënë, më 27 shtator 1982, 08:00:

Biseda me Hekuran Isain

– Shoku Qemal! Nga hetimi kanë dalë fakte dhe kemi dokumente për bashkëpunimin e Ismail Kadaresë me Mehmet Shehun. Dokumentet ia kam bërë të njohura shokut Enver. Do ta arrestojmë. Kemi bërë gati kallëzimet. Shoku Enver më porositi që t’i analizoni edhe ju materialet dhe të shkojmë tek ai.

– Do t’i lexoj dhe analizoj me shumë përgjegjësi, shoku Hekuran.

E hënë, më 27 shtator 1982, 08:30:

Telefonata e Ramiz Alisë

Ra zilja e telefonit sekret. Ishte Ramiz Alia.

Ramiz Alia: Shoku Qemal! Hekurani ka biseduar me ju për Ismail Kadarenë.

Qemal Lame: Po, shoku Ramiz. Pak më parë biseduam. Jam duke lexuar dhe analizuar dokumentet.

Ramiz Alia: Do ishte mirë të bisedonim. Sapo bisedova edhe me Hekuranin. Po të keni kohë, hajdeni e bisedojmë të tre bashkërisht. Në orën 09:00 do jem në zyrë.

Qemal Lame: Do të vij, shoku Ramiz.

Hekurani erdhi në zyrën time dhe shkuam së bashku te Ramizi.

E hënë, më 27 shtator 1982, 09:00:

Biseda me Ramiz Alinë

Ramiz Alia: Shoku Qemal! I kemi dokumentet për Ismailin. Ta arrestojmë! Nuk ka përse të zgjatet më ky veprim.

Qemal Lame:Nuk i kam lexuar të gjitha materialet, shoku Ramiz. Ka dokumente të vjetra dhe të tanishme nga hetimi i komplotit.

Ramiz Alia:  Mirë. Lexoji dhe analizoji. Do të takohemi me shokun Enver dhe do të bisedojmë. Ai do që ju të jepni mendim. Ka besim dhe pret mendimin tuaj. Do të të lajmëroj kur të takohemi. (VIJON)