Tavo kërkesë urgjente autoriteteve: Ky lajm është tronditës! Nisni menjëherë hetimet

Ish-deputeti i LSI-së Vangjel Tavo, e quajti një lajm tronditës atë që u transmetua në media, ku përgjigjet e tamponeve në Gjirokastër nuk janë dhënë që prej datës 17 Tetor.

Tavo u shpreh se kjo është kriminale, pasi mund të rrezikojë seriozisht jetët e qytetarëve, duke qenë se sa kohë që nuk marrin përgjigje e nisin vonë trajtimin, që mund të jetë i nevojshëm që në fazat e para të sëmundjes.

Vetë Tavo, si një person që e ka kaluar Covidin, tha se është parësore që në rast se pacienti i prekur ka nevojë për trajtim, kjo të nisë sa më parë, pasi çdo vonesë mund të sillte fatalitete.

“Lajmi që ju përcollët është mëse i vërtetë, ku qytetarët që kanë marrë tamponin pas datës 17 nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Është pak të thuash që kjo është papërgjegjshmëri e strukturave, pasi nuk kanë pasur asnjë strategji të qartë për menaxhimin e situatës.

Ky është një akt kriminal për disa arsye, pasi pacientët mund të arrijnë në fatalitet në rast se nuk marrin në kohë përgjigjen, krijohet mundësia për përhapjen e mëtejshme të infeksionit, nuk bëhet dot gjurmimi i kontakteve, ka dhe shumë raste ku nuk nisen dot protokollet e trajtimit. Kjo rrit kostot për vetë sistemin shëndetësor, dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. U bëj thirrje organeve të prokurorisë që të nisin hetimet, pasi nuk kemi të bëjmë thjesht me një shpërdorim detyre, por kemi të bëjmë me jetë njerëzish.

Unë e kam kaluar vetë këtë sëmundje, dhe çdo orë vonesë në marrjen e përgjigjes, dhe në fillimin e trajtimit kur ai është i nevojshëm, përkthehet në fatalitet për jetën e qytetarëve. Në vendin tonë jo vetëm që tamponet nuk subvecionohen, por detyrohen që të shkojnë në privat dhe të paguajnë 120 mijë lekë të vjetra“, u shpreh Tavo. Sipas ish-deputetit si të mos mjaftonte mungesa e tamponeve, në Gjirokastër nuk respektohet as masat anti covid, ku vetë Bashkia ka organizuar aktivitete me pjesëmarrjen e shumë personave”, tha Tavo për Fax News.