Studentët e filmuan në zyrë, reagon ashpër Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në një aktivitet të zhvilluar sot i është përgjigjur edhe të rinjve studentë, të cilët i shkuan dje në zyrë dhe e filmuan “tinëzisht”.

Ai shprehu bindjen e tij se të rinjtë janë të orientuar drejt për sa i përket perspektivës dhe të ardhmes, e cila sipas tij nuk mund të minimizohet me një birrë në Jalë apo një kafe falas.

“Kisha dje dy raste: një grup të rinjsh që më thoshte pse s’jepni birra falas, si ata në Jalë, dhe një grup tjetër që po xhironte një kamera të fshehtë në zyrën time, më thoshte pse Karta e Studentit nuk jep kafe falas. A është reduktuar ambicia e të rinjve tanë në një birrë dhe në një kafe falas? Realisht, këtu kemi mbetur si komb? Që dikush që rritet në Shqipëri thotë: kush do ma japë qyl birrën dhe kush do ma japë qyl kafen?! Ne të Tiranës jemi ndryshe.

Nuk e di se nga vijnë këta fëmijë dhe nga çfarë familjesh rriten, që duan që shteti t’u sigurojë birrën dhe kafenë falas, por unë besoj se Tirana është krejt ndryshe. Është vend me ambicie. Kemi çuna dhe goca që kanë fituar olimpiada, që kanë fituar start up-e, kemi çuna dhe goca të mrekullueshëm në teknologji të informacionit. Kemi djem dhe goca të mrekullueshme nga gjimnazet tuaja që na ndihmuan kur kishim rrjetin e shpërndarjes së pakove ushqimore. Tirana ha buk veç! Ne nuk rrisim të rinj që besojnë te qyli, ne rrisim të rinj që besojnë te puna, tek merita, tek talenti, tek vullnetarizmi,” deklaroi Veliaj.