Spartak Ngjela nxjerr prapaskenat dhe bën deklaratën e fortë për Ilir Metën

Avokati Spartak Ngjela ka komentuar përplasjet më të fundit mes kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta për Kodin Zgjedhor. Ky i fundit pasi ia ktheu Kodin e ri Zgjedhor Kuvendit, iu drejtua Komisionit të Venecia. Ngjela shprehet se Meta me këto lëvizje po tenton që të pengojë reformën pasi i trembet drejtësisë, por ka edhe hallin e vet në zgjedhje.

“Është pengesë. Presidenti Meta kërkon të pengojë reformën, kërkon të çorientojë zgjedhjet, sepse ka hallin e tij, i cili dihet. Nuk gjen zbatim në këto momente “Venecia”, sepse Parlamenti shqiptar e ka marrë vendimin. Meta as nuk është jurist, dhe as nuk pyet ekspertët përkatës për këtë rast. Pyetja që ngrihet këtu është kjo: çfarë ndodh në rast se opinoni i Komisionit të Venecies është kundër vendimit të Parlamentit shqiptar, për ligjin në fjalë? Opinioni i Komisionit të Venecies që mund të jetë kundër frymës së ligjit të dalë nga Parlamenti shqiptar, nuk rrëzon ligjin; sepse nuk ka mundësi juridike.

Me opinionin e Komisionit të Venecies nuk bëhet dot as padi në Gjykatën Kushtetuese, se është opinion, nuk është vendim i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut, megjithatë presidenti Meta mund ta çojë ligjin në Gjykatë Kushtetuese me opinionin e Komisionit të Venecies, por nuk do të arrijë dot gjë, me përjashtim të faktit që do të bëhet edhe më qesharak se ç’është. Një gjë duhet mbajtur parasysh: Opinioni i Komisionit të Venecies nuk rrëzon dot një ligj shqiptar, të dalë nga Parlamenti shqiptar.”, u shpreh Ngjela i prerë për ‘Fjala’.