Skandali me pasaportat alarmon Presidencën, pas shkarkimeve në kabinet Meta bën veprimin e papritur

Presidenti Ilir Meta ka marrë masa për të sfumuar skandalin me dhënien e nënshtetësive. Gjatë tre vite në detyrë, presidenti Meta ka bërë qindra qoka për miqtë e vet, duke pajisur me shtetësi shqiptare në shkelje të ligjit shumë persona. Por duke qenë se kjo çështje ka të bëjë me një skandal të përmasave të mëdha, kreu i shtetit ka nisur lëvizjet në prapaskenë. Sinjali më i freskët ndodhi këtë të enjte që shkoi, ku në mënyrë të beftë Presidenca u përshi në disa ndryshime. Kështu Bahri Shaqiri që ishte personi kyç në Presidencë dhe që mbante postin e Këshilltarit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare u largua, ndërsa në vendin e tij është emëruar në këtë post, Spiro Koçi. Ndërkohë ish-ministri i Bujqësisë dhe ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Panariti u atashua pranë Presidencës duke marrë postin e drejtorit të Kabinetit, duke zëvendësuar në këtë post Arben Cicin, për të cilin Meta është mjaftuar duke e emëruar Këshilltar Diplomatik. Pra, në kulmin e skandalit me shtetësitë institucioni i kreut të shtetit është përfshirë nga ndryshimet.

Meta pezullon dhënien e shtetësive

Por sikur të mos mjaftonin këto lëvizje të dyshimta, presidenti Ilir Meta duket se ka bllokuar edhe procesin e dhënies së nënshtetësive. Debati për dhënien e shtetësive pa kriter të dhënë nga Meta, ka shkaktuar shumë debat në vend ditët e fundit, ndërkohë që nga një verifikim që bëri gazeta në faqen e Botimeve Zyrtare, rezulton se prej datë 16 tetor, Meta nuk ka nxjerrë asnjë dekret për shtetësitë. Pra sot jemi 16 nëntor dhe në harkun kohor të një muaji dhe pas skandalit që plasi me shtetësisë, presidenti Meta ka ndalur duke mos dhënë nënshtetësi edhe pse para se të zbulohej ky shqetësim, ai nxirrte minimumi 2 ose 3 dekret në javë, duke iu dhënë shtetësinë shqiptare qytetarëve të ndryshëm. Pra e gjitha kjo, e sidomos skandali me pasaportat, duket se ka alarmuar Presidencën, pasi pas shkarkimeve në kabinet, presidenti Meta ka pezulluar edhe dhënien e shtetësive. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

PS e vendosur për të hetuar

Por pavarësisht se skandali i nënshtetësive është hequr nga vëmendja, Partia Socialiste është e vendosur për të mësuar të vërtetën me shtetësitë. Gazeta u interesua pranë Komisionit të Sigurisë, ndërsa mësoi se ky komision është i vendosur për të hetuar këtë skandal dhe se është në pritje të dokumenteve që do të shkojnë nga institucionet. Në këtë kontekst, mësohet se dosjet për shtetësitë që pritet të japin sqarime tek Komisioni i Sigurisë janë voluminoze, kështu që edhe anëtarët e tij janë në pritje të tyre për të parë nëse Ilir Meta ka kryer apo jo shkelje me dhënien e shtetësive sikundër është bërë publike në media. Pak ditë më parë gazeta e bëri publike se Komisioni i Sigurisë është vënë në lëvizje, ndërsa ka dërguar shkresa, duke kërkuar informacione nga plotë pesë institucione. Mësohet se anëtarët e “Sigurisë” kanë kërkuar informacione nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Antiterrorit, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Presidenca, për të pasur një panoramë të qartë mbi procedurat që janë ndjekur nga këto pesë institucione dhe sidomos zoti meta, ndaj të cilit janë hedhur akuza së fundmi për shtetësitë. Kështu që i ndodhur përpara kësaj situate të paprecedentë, Komisioni i Sigurisë ka shprehur gatishmërinë për t’u shkuar deri në fund hetimeve për këtë çështje dhe për të mësuar se si qëndron e vërteta me nënshtetësitë.