Si i marrin amerikanët të dhënat e zyrtarëve shqiptar, Fatos Klosi zbulon dosjet e të korruptuarve

Ditën e kaluar Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mattheë Palmer paralajmëroi zyrtarët e shtetit të cilët i konsideron si të korruptuar se do t’u heqë vizat nëse vazhdojnë me punën e tyre të pistë.

Nga ana tjetër, Fatos Klosi zbuloi akoma më shumë detaje për gazetën “SOT” nga koha kur ai ka drejtuar SHISH. Klosi zbuloi të fshehtat si i marrin amerikanët të dhënat, ndërsa pohoi se SHBA-të kanë listë me emra të zyrtarësh dhe politikanësh të korruptuar shqiptarë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një listë me zyrtarët, politikanët e korruptuar në Shqipëri. Qysh në kohën kur unë kam qenë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, që nuk shtrohej fare ky problem që kishim përpara ndonjë detyrë sikundër është kjo që lidhet me fushatën dhe mbështetjen ndaj reformës në drejtësi, amerikanët dhe këtë madje e kam konstatuar vetë si kreu i SHISH, kanë pasur të dhëna të plota lidhur me të gjithë zyrtarët shqiptarë, por edhe për politikanë që nuk ishin zyrtarët nga opozita dhe mazhoranca. Pra, Uashingtoni ka një listë me zyrtarë të korruptuar që nga momenti në moment pritet t’i shpallë “Non Grata” nëse e sheh të arsyeshme”, deklaroi ai.

Fatos Klosi më pas pohoi se amerikanë kanë akoma më shumë dosje se vetë SHISH për të gjithë politikanët e korruptuar. “Burimet e amerikanëve janë të shumta dhe ata janë të interesuar të hetojnë dhe të dinë se me çfarë vendi janë duke bashkëpunuar, aq më tepër që ne do të hynim në NATO dhe tanimë presin të hyjnë në BE. Kështu që nga kjo pikëpamje ata kërkonin informacion nga ne, madje ndonjëherë kishin informacion më shumë se ne për këdo. Po ashtu edhe vende të BE kanë informacione dhe lista me emra zyrtarësh të korruptuar, por në zyrat e DASH është lista e plotë e të korruptuarve shqiptarë dhe jo vetëm”, u shpreh ai./Source.al