Si do të zhvillohet viti i ri shkollor? Përgjigjet Besa Shahini: Synojmë bankat e shkollës, por…

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, nëpërmjet një video mesazhi ka folur mbi fillimin e vitit të ri shkollor, duke thënë se vendimin përfundimtar do ta marrë Task-Forca për Koronavirusin.

“Ne, stafi i MASR, agjencitë tona vartëse, disa nga drejtorët e shkollave, disa nga mësuesit, jemi duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”, është shprehur ajo.

Ndërkohë ministrja ka bërë apel që secili prej nesh të respektojë rregullat dhe të shtojë kujdesin në këtë situatë të pazakontë, pasi kështu do të rriten edhe shanset për t’u rikthyer në bankat e shkollës.

“Dhe kjo është e rëndësishme, sepse ju kam dëgjuar me shumë kujdes: shumica e nxënësve, prindërve dhe mësuesve duan të kthehen në shkollë. Mësimi në kushte shtëpie është i vështirë. Është i domosdoshëm kur nuk mund të kthehemi në shkollë, mirëpo është i vështirë. Ndaj, ju lutem, të ruani distancën, mbani maskat dhe higjienën në mënyrë që të rrisim shanset për t’u kthyer në bankat shkollore”, tha Ministrja Shahini.

Në fund të video-mesazhit, Ministrja Shahini thekson se “në momentin e parë që të kemi një orientim nga Task-Forca për Koronavirusin se në çfarë forme do të mund të fillojë ky vit shkollor, ne do t’i bëjmë të gjithë konsultimet e nevojshme me këshillat e prindërve, me sindikatat dhe parlamentin e nxënësve dhe do t’ju informojmë çdo ditë për vendimmarrjen, si dhe për mënyrën se si do të zbatohet plani ynë për fillimin e vitit të ri shkollor”.