Shtyhet vendimi për negociatat, ja shtetet që refuzuan Shqipërinë dhe kërkesat e tyre

Vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian është shtyrë për në mars. Kështu, disa nga vendet janë shprehur dje skeptikë për çeljen e negociatave të Shqipërisë, pasi mendojnë se ende nuk ka përmbushur kriteret. Holanda dhe Franca shfaqën sërish qëndrimin e tyre sipas së cilit Shqipëria nuk është ende gati edhe nëse Maqedonia e Veriut zhbllokon çështjen që ka me Bullgarinë, sërish Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin integrues dhe nëse do të ketë konferencë ndërqeveritare të afërt, ajo të mbahet vetëm me Shkupin zyrtar.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel zhvilloi një takim virtual me parlamentarët e vendeve anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian ku nuk dha shpresa sa i takon çeljes së negociatave të Shqipërisë brenda këtij viti. Merkel theksoi se shpresonte në ndryshimin e qëndrimeve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe zbutja e situatës mes dy vendeve do të ishte një faktor që konferenca ndërqeveritare e RMV-së të zhvillohej këtë vit. Sa i përket Shqipërisë kancelarja gjermane u tregua skeptike, ndërsa u shpreh se çelja e negociatave nuk mund të ndodhte që këtë vit. Po ashtu kancelarja nuk e përjashtoi mundësinë që kjo ngjarje të ndodhë shumë shpejt. “Në rastin e Shqipërisë çështja është pak më ndryshe. Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt”, tha Merkel.

Draft-konkluzionet e Këshillit të Europës

Shqipëria ka dështuar me pesë nga gjashtë parakushtet për hapjen e negociatave, përfundim në të cilin ka arritur Këshilli i Evropës në lidhje me kushtet e vendosura nga shtetet anëtare të BE për Shqipërinë për hapjen e negociatave. Në draft-konkluzionet e miratuara nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE, theksohen hapat që mbeten për t’u ndërmarrë deri në aprovimin dhe hapjen zyrtare të negociatave me të dyja vendet. Po ashtu në draft konkluzione theksohet se Shqipëria ka bërë përparim në plotësimin e kushteve. “Këshilli mirëpret vendosmërinë e Shqipërisë për të çuar përpara axhendën e reformave të BE, që i hapi rrugën vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE në Mars 2020. Këshilli aktualisht po shqyrton kornizën negociuese për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Shqipëria bëri një përparim thelbësor dhe është afër përmbushjes së të gjitha kushteve që duhet të plotësohen përpara konferencës së parë ndërqeveritare.

Duhet arritur më shumë progres në përparësitë e përcaktuara nga Këshilli në paragrafin 10 të konkluzioneve të tij të 25 Marsit 2020. Këshilli i bën thirrje Komisionit Europian të monitorojë nga afër përmbushjen e reformave të kërkuara të mbetura dhe të informojë Këshillin sapo kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare të jenë përmbushur”, thuhet në dokument. Po ashtu, këshilli vlerëson përparimin në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa theksohet se është e rëndësishme që të bëhen rekrutime për Byronë Kombëtare të Hetimeve, që të jetë plotësisht funksionale. “Këshilli mirëpret përparimin e mirë të Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, e cila ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme dhe duke forcuar luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar, ku vendosja e anti-korrupsionit dhe strukturat e specializuara për krimin e organizuar u finalizuan.

Është e rëndësishme që të kryhen rekrutimet e mëtejshme për Byronë Kombëtare të Hetimeve, në mënyrë që ajo të jetë plotësisht funksionale. Përpjekjet drejt krijimit të një gjurme provash të konsoliduara duhet të vazhdojnë, përfshirë vendimet përfundimtare dhe hetimet pro-aktive për korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar dhe përmes zbatimit të planit të veprimit për të adresuar rekomandimet e Task-Forcës së Veprimit Financiar, siç duhet tê vazhdojë bashkëpunimi i mirë me autoritetet përkatëse të Shteteve Anëtare”, thuhet në draft konkluzionet.