Shtohen benefitet për punonjësit e administratës, ja kategoritë që përfitojnë

Qeveria ka vendosur që të shtojë përfitimet për punonjësit e administratës. Sipas vendimit të fundit, shumë personave do u mbulohen shpenzimet telefonike nga buxheti i shtetit. Një vendim i datës 2.9.2020 i publikuar në Fletoren Zyrtare bën me dije se, punonjësve të administratës publike, bazuar në funksionet që kryejnë, u ofrohet shërbimi i telefonisë celulare, sipas specifikimeve të këtij vendimi.

Sipas vendimit, sqarohet se shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, do të jenë jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime të miratuara për çdo institucion në buxhetin vjetor përkatës. Nga ky kufizim përjashtohen institucionet e pavarura me një numër jo më shumë se 100 punonjës. “Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe me dalje ndërkombëtare dhe pa asnjë kufizim në mbulimin e shpenzimeve nga buxheti i institucionit funksionarëve, sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”, thuhet në vendimin e bërë publik në Fletoren Zyrtare.

Kategoritë që përfitojnë:

Sipas draftit, do të kenë telefonata pa limit Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës së Kushtetuese. Ndërkohë bëhet me dije se do përfitojnë shërbim celular deri në 40 mijë lekë: Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Drejtues i SPAK/Byro Hetimi. Më tej në pikën 5 të vendimit, sqarohet se ky shërbim mund t’u ofrohet, por jo më shumë se 10 000 lekë në muaj, funksionarëve si në vijim, Sekretari i Përgjithshëm në institucionet Presidencë, Kuvend, Këshillin e Ministrave, Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, si dhe çdo funksionar në nivel politik ose në nivel drejtues i barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky funksion.

Në këtë kategori përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar në kabinetin e titullarit” që kanë pagë të këtij niveli. Po ashtu përfiton Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Anëtarë të Gjykatës së Lartë/Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionerëve dhe gjyqtarë të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky shërbim i ofrohet, por jo më shumë se 7 000 lekë në muaj edhe zëvendësministrit. “Drejtuesit e njësive të vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të urdhërojnë pajisjen me numër telefoni celular të personave zyrtarë, bazuar në detyrën që kryejnë dhe brenda fondeve të parashikuara në buxhetin vjetor, sipas specifikimeve të mësipërme. Shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë në çdo rast jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime, të miratuara për çdo institucion në buxhetin vjetor përkatës”, thuhet në vendim. Më tej vendimi sqaron se drejtuesit e njësive të fondeve speciale, njësive të qeverisjes qendrore publike, kanë të drejtë të urdhërojnë pajisjen me numër telefoni celular të personave zyrtarë, bazuar në detyrën që kryejnë dhe brenda fondeve të parashikuara në buxhetin vjetor, sipas specifikimeve. Shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë në çdo rast jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime, të miratuara për çdo institucion në buxhetin vjetor përkatës.