Shpëtim Idrizi e dredh sërish, nuk ra dakord me Bashën për listat, ja çfarë synon tani

një aleancë me PS në zgjedhjet e 25 prillit. Nga ana tjetër Rama duket se nuk e preferon një gjë të tillë. Dje në Sarandë ai i dha goditje Idrizit, pasi tha se ishte PS ajo që ka bërë për çamët më shumë se çdo parti tjetër.

Paralajmërimi i Idrizit:

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi gjatë një interviste televizive këtë fundjavë, ku e la të hapur derën e bashkëpunimit mes partisë që ai drejton dhe PS-së. “Mund të ketë një mundësi koalicioni me Partinë Socialiste, në qoftë se Partia Demokratike nuk e do Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Mund të ketë një mundësi”, deklaroi ai. Pra, përmes kësaj deklarate kreu i PDIU, tregon qartë që po i lutet kryesocialistit Edi Rama për bashkëpunim. Nga ana tjetër ai e sulmoi Bashën, pasi kërkoi që të hetohen ata që ishin në krye të masakrës së “21 Janarit”.

“Për “21 Janarin” ku 4 veta u vranë në mes të Tiranës, padyshim që sot, pas kaq shumë vitesh, jo që duhej zbardhur, por ata duhet të dënoheshin me dënimin më të ashpër që ka Kodi Penal, që mos të përsëritej më. Ata që i kanë ekzekutuar, ata që kanë dhënë urdhër, padyshim që për mua duhet të ishin në burg, shembull që mos të ndodhte më kjo histori që të vriten njerëz për pushtet”, tha ai duke goditur Bashën, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm.

Dredhitë e Idrizit:

Nëse marrim me radhë të gjithë karrierën e tij politike, Idrizi ka ditur vetëm të udhëtojë nga njëra aleancë në tjetrën dhe ata që e kanë mbështetur i ka hedhur pas. Ishte Fatos Nano që e promovoi Idrizin. Ai e bëri drejtor Dogane dhe drejtor Tatimesh, por Idrizi pastaj u tregua mosmirënjohës. Kur Nano kërkoi firmën e tij për të kërkuar kandidimin për postin e presidentit, ai nuk ia dha. Më pas Idrizi iku nga Nano e shkoi te Berisha. Pasi e djathta humbi zgjedhjet, Idrizi u tregua dinak dhe shkoi drejt pushtetit, pasi në 2015 firmosi aleancën me Ramën. Nga Rama më pas shkoi te Ilir Meta.

Kur PD hyri në çadër, Idrizi u bashkua me LSI kundër Ramës dhe kjo solli pastaj paktin e 17 majit. Më pas iku nga Meta dhe shkoi sërish te Rama. Por në zgjedhje, PS e fundosi pasi Idrizi nuk mori dot mandat deputeti në Tiranë dhe mbeti jashtë Parlamentit. Më pas ai shkoi sërish në PD duke iu bashkuar kampit opozitar. Tani që PD i vuri duart, duket se ka kthyer sërish sytë te Rama. Por gazeta ka mësuar se nëse Rama nuk e pranon, Idrizi pritet të përfundojë te LSI. Kjo e fundit rrezikon shkrirjen dhe është gati të bëjë gjithçka, duke përfshirë dhe një koalicion me PDIU. Pra Idrizi kthen sytë nga çdo parti që i jep atij një mundësi për t’u rikthyer në Parlament.