Shpërthimi i Enver Hoxhës dhe urdhri në 1982: “Të arestohet Kadareja, me të tjerët në qeli, të hanë dhé. Të shkojë në hale të gomerëve”

Një ndër njerëzit në listë dhe që sipas tij “i kishte ardhur radha”, ishte Ismail Kadare. Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i cili shërbeu në këtë post për 10 vjet, dëshmon se për shkrimtarin ishte përgatitur më e keqja: ekzekutimi. Ishte vetë Enver Hoxha që i kishte artikuluar këto fjalë përpara tij, Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait.

“I është rritur shumë mendja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve!”, kishte thënë Enver Hoxha në një takim të 27 shtatorit 1982. Të gjitha këto dhe ngjarje të tjera, Qemal Lame i tregon në librin e tij “Dritëhijet e kohës:

Letërsia dhe arti në diktaturë. Përndjekja e Ismail Kadaresë”, botuar nga shtëpia botuese “Neraida”. Më poshtë, “Panorama” publikon detaje nga takimi me Enver Hoxhën dhe dilemat e kryehetuesit.

QEMAL LAME
TAKIMI ME ENVER HOXHËN:

URDHRI PËR ARRESTIMIN E ISMAIL KADARESË

E hënë, më 27 shtator 1982, 18:00

Të pranishëm në zyrën e Enverit ishin edhe Ramiz Alia dhe Hekuran Isai, ministri i Brendshëm.

Enveri foli i pari: – Të arrestohet ai Kadareja! Të bisedojmë e të vendosim për këtë qelbësirë. Boll ka livadhisur. I është rritur shumë mendja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve!

– Me ty, Ramiz, dhe ty, Hekuran, kemi biseduar në vazhdimësi. Tani të dëgjojmë Qemalin. I lexove dokumentet, shoku Qemal?

– I lexova dhe i analizova, shoku Enver.

– Hë, mo, si thua? I ka ardhur koha. T’ia përveshim edhe atij…

– Dokumentet procedurale janë sipas ligjit, në bazë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, shoku Enver.

– Ashtu, shumë mirë. Të arrestohet!

– Hekuran, merr masa që arrestimi të bëhet pa probleme.

– Si urdhëron, shoku Enver!

– Ramiz, ta mbyllim këtë problem deri javën tjetër.

– Si urdhëron, shoku Enver!

– Edhe një problem me rëndësi, shoku Enver. Për hetimin dhe gjykimin e çështjes, dënimin dhe dokumentimin për të ardhmen, ka rëndësi objektiviteti i fakteve dhe pyetjeve të të pandehurve, si dhe i dëshmitarëve. Për hartimin e tyre është në dijeni konkretisht shoku Hekuran.

– Ashtu është. Hekuranin e kemi caktuar që të merret konkretisht me hetimet. Kështu kemi vendosur. Ti do të vazhdosh të kujdesesh për anën ligjore të hetimit të komplotit. Duam që sot dhe në të ardhmen të mbeten dokumente ligjore të rregullta.

– Mendoj të theksoj edhe një shqetësim tjetër, shoku Enver. Arrestimi do të tërheqë vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe sidomos atij të huaj, shoku Enver. Veç këtij fakti, jemi në vazhdim të jehonës, vlerësimeve dhe të zbatimit të vendimeve të Kongresit të 8-të të Partisë.

– Të kuptoj, Qemal. Partia dhe populli do t’i kuptojnë drejt këto probleme. Mos u shqetëso.

Enveri iu drejtua menjëherë Ramizit:
– Ramiz, shqetësimi është i drejtë. Merrni parasysh edhe këto mendime. Enveri, duke më parë në sy, tha duke na u drejtuar të treve:

– Qemal, analizoji me kujdes dokumentet.
– Patjetër, shoku Enver!
– Hekuran, merr masa që arrestimi të bëhet pa probleme.
– Si urdhëron, shoku Enver!

– Ramiz, ta mbyllim këtë problem deri javën tjetër. /Panorama/