SHBA fundos Shkëlzen Berishën, gjykata i jep të drejtë gazetarit që zbardhi skandalin e Gërdecit

Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha ka marrë një tjetër goditje nga drejtësia amerikane. Pas humbjes së gjyqit në shkallën e parë përballë gazetarit Guy Lawson edhe Gjykata e Apelit në Florida ka dalë kundër tij. Gazetari amerikan, është ndër njerëzit që ka hedhur më shumë dritë për skandalin e Gërdecit. Përmes një sërë shkrimesh në gazetë, por dhe në fund përmes librit të tij “Qentë e Luftës”, ai ka akuzuar Shkëlzen Berishën si të përfshirë në skandalin e Gërdecit.

Djali i ish-kryeministrit nuk e ka pranuar diçka të tillë dhe paditi atë në gjykatë duke kërkuar 60 milionë euro dëmshpërblim. Në Shkallën e Parë kërkesa e tij u rrëzua, ndërsa çështja vajti në Apel, por vendimi nuk ka ndryshuar. “Autori librit Guy Lawson u mbështet në gjetjen e fakteve në shumë artikuj të publikuar më parë të cilat akuzonin Shkëlzen Berishën si i përfshirë në mashtrimin e kompanisë AEY dhe në botën e nëndheshme kriminale shqiptare. Lawson shkoi më tej duke intervistuar edhe persona të tjerë të cilët pohuan të njëjtën gjë për zotin Berisha”, thuhet në vendim.

Në argumentet e saj gjykata hedh poshtë pretendimet e Shkëlzen Berishës, duke ju referuar fakteve dhe investigimeve të mediave më të rëndësishme botërore si New York Times, dokumentari i Al Jazeera-s, shtypit lokal shqiptar dhe pasuron dhe më tej akuzat ndaj tij duke ju referuar librit të Lawson, i cili ka dëshminë e vajzës së Kosta Trebickës. Gjykata ka përshkruar në vendimin e saj historinë e shkurtër të biznesit të trafikut të armëve nga Shqipëria, duke treguar historinë e dy djemve amerikanë, Efraim Diveroli dhe shokut të tij, të cilin e përshkruan si një aferë korruptive ku ishte e përfshirë mafia lokale shqiptare.

Sipas saj, për të përcaktuar nëse në një çështje bëhet fjalë për shpifje apo jo, atëherë duhet përcaktuar nëse paditësi është figurë publike apo jo dhe nëse materiali shpifës është një çështje private apo publike. Sipas vendimit, deklaratat e bëra në këtë rast kanë lidhje me shitjen e armëve dhe korrupsionin që prekte qeverinë shqiptare. Duke bërë një analizë të gjatë, gjykata del në përfundimin se paditësi mund të konsiderohet si një figurë publike, duke qenë se ai është djali i ish-kryeministrit të vendit. Por ajo vijon duke thënë se figurat publike në mënyrë vullnetare e ekspozojnë veten ndaj deklaratave të pavërteta që mund të bëhen ndaj tyre.

Vdekja e Kosta Trebickës

Në vendim përmendet dhe vdekja e Kosta Trebickës, një ndër personat që kishin dijeni të plotë mbi ngjarjen. Gazetari amerikan në artikujt e tij pretendon se ai u vra pikërisht për të mbyllur gojën. Gjykata e përmend këtë gjë. Fillimisht tregohet se si Trebicka i kërcënoi. “Kohët e fundit, grupi ndërmjetësoi një marrëveshje për të blerë municionin me çmim të reduktuar, duke e hequr Trebickën nga skema në favor të Delijorgjit. I zemëruar për shkak të nxjerrjes jashtë loje nga marrëveshja, Trebicka u përpoq të ngrinte zërin dhe të bënte publik faktin që ai besonte se Diveroli dhe AEY po i paguanin zyrtarëve shqiptarë ryshfete. Duke shpresuar të vërtetojë pretendimet e tij, Trebicka regjistroi një telefonatë me Diverolin, në të cilën Diveroli i tha atij se nuk mund të bënte asgjë për të bërë të mundur që të kthente Trebickën në skemë sepse korrupsioni “u ngrit më lart, deri tek kryeministri, tek djali i tij”. Pretendimet e Trebickës dhe biseda e tij e regjistruar me Diverolin u bënë burimi i një numri raportesh publike rreth skemës ilegale të AEY”, thuhet në vendim duke treguar pasazhe nga libri.

Më tej përmendet vdekja e Trebickës. Sipas gazetarit ai u vra. “Historia e postuar nga New York Times citonte deklaratat e Diverolit se skema “u ngjit më lart tek kryeministri dhe djali i tij” dhe se Berisha ishte pjesë e “kësaj mafieje”. Artikulli raportoi gjithashtu për një çështje tjetër për të cilën Trebicka kishte sinjalizues (dhe për të cilën kishte akuzuar Berishën për përfshirjen në të): shpërthimin tragjik të një rezerve municionesh shqiptare në Gërdec, ngjarje që pati 26 viktima dhe për të cilën janë arrestuar Pinari dhe Delijorgji. Disa muaj më vonë, New York Times botoi ​​një artikull tjetër që raportonte vdekjen, gjoja aksidentale të Trebickës dhe rreshtonte dyshime të hollësishme se Trebicka ishte vrarë ndoshta me përfshirjen e familjes Berisha, për ta parandaluar atë që të dëshmonte për çështjet AEY dhe Gërdecin”, thuhet më tej.