Sazan Guri thirrje qytetarëve: Tre arsyet pse nuk duhet të shtriheni në shezlone

Profesori i njohur Sazan Guri, duke qenë se jemi në sezon vere, i bën thirrje gjithë shqiptarëve që të mos shtrihen në shezlone kur shkojnë në plazh, për 3 arsye.

I ftuar në Zonë e Lirë, ambientalisti Guri tha se duke mos u shtrirë në zhezlone, njerëzit edhe kursejnë lekë, edhe shmangin shtrirjen në një vend ku më parë është shtrirë dikush tjetër.

Ai tha se nuk ka më mirë se sa të shtrihesh në rërë, pasi është shumë kurative.

“I bëj thirrje të gjithëve që të mos frekuentojnë shezlonet, se edhe lekë kursen edhe nuk shtrihesh aty ku është shtrirë më parë dikush tjetër, edhe ke rërën, çfarë e do shezlonin? Ku ka më mirë se sa të shtrihesh të zhytesh në rënë. Është kurative. Një herë një mjek i huaj mori disa njerëz, pacientë që vuanin nga sëmundje të ndryshme, dhe i lyu me rërë e baltë kurative, dhe i vendosi të bënin aerobi. Më pas ata u shëruan, i shëroi rëra, ata kujtonin se i shëroi aerobia.

Deti shqiptar për shkak të larmishmërisë së shkëmbinjve, që janë në pjesën malore të Shqipërisë, Shqipëria ka aq male sa po ta shtrish, është sa Gjermania… Të thuash të vësh doreza e maskë në plazh, kur ka një rërë që vret sëmundjet… Kjo rërë që është e verdhë, e bardhë, andej nga Shëngjini, rëra jonë plus që është 70 metër dhe shputa zhytet në këmbë, kjo rërë shëron të gjitha sëmundjet. Qytetarë hiqni dorë nga ulja në shezlon, zhytuni në rërë, 30 minuta deri në 1 orë në ditë ecje në rërë të thatë”, tha Sazan Guri.