Sali Berisha nxjerr të dhënat e frikshme: E kam paralajmëruar edhe më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha, tha Edi Rama e ka menaxhuar pandeminë në mënyrën më katastrofike të mundshme. “Respekti për ata qindra e mijëra të sëmurë, që dergjen sonte nga kjo sëmundje, respekti për ata mijëra të vdekur, familjet e tyre, më detyron ta injoroj sonte totalisht personin në fjalë, i cili për gjuhën e përdorur meriton çdo epitet.

Por unë do të ndalem në zhvillimet dramatike të pandemisë në Shqipëri, ju garantoj më dramatike se në çdo vend tjetër të planetit, për një arsye të vetme, sepse që në filli e deri sot, gjithçka u bazua te mashtrimi, falsifikimi dhe vjedhja. Në Shqipëri, gjendja sipas treguesve zyrtarë, është më katastrofike se në çdo vend tjetër.

Sot po lexoja në agjenci të ndryshme. Franca ka pasur kulmin e shtrimeve në muajin prill. Situata në Shqipëri është jashtë çdo imagjinate. Nuk ka asnjë vend në planet, që të ketë pasur pas 6 muajsh të fillimit të pandemisë, 10-fishim apo 40-fishim të rasteve. Para tre ditësh, rastet me infeksion të zbuluara në një ditë, kanë qenë 40 herë më të shumta sesa rastet e zbuluara në mesataren ditore tre muajt e parë të pandemisë.

Kjo sipas shifrave zyrtare, sepse këto shifra përfaqësojnë një të dhjetën e realitetit të infeksionit. Kjo është rritje masive e infeksionit, i gjeneruar nga kthimi i spitaleve dhe shkollave në bomba biologjike, për mungesë totale të testimeve, për mungesë totale të survejancës epidemiologjike.

Sot portali juaj ka botuar statistikën e tmerrshme të INSTAT. Kjo statistikë fakton se nga data 31 korrik, deri më 31 shtator, në tremujorin e tretë të këtij viti, vdekjet në Shqipëri janë rritur me rreth 30 përqind. Shqipëria pati në këtë tremujor 1300 vdekje më shumë se tremujorin e para një viti. Kjo do të thotë atë që e kam paralajmëruar shumë herë në fillimet e pandemisë, se këta po mashtrojnë në mënyrë monstruoze shifrat e vdekjeve nga Covid. Kur këta deklaronin 18, unë deklaroja 74,” tha Berisha.

Sipas tij, duke hequr shtimin e viktimave nga vdekjet e tjera, rezulton se të paktën 1200 të vdekur nuk kanë shkak tjetër për vdekjen përveçse koronavirusit.