Rinisja e shkollave, online apo në klasa? Arsimi dhe Shëndetësia: Ky është skenari final

Dy ministre, ajo e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, pra Shahini e Manastirliu, bën të ditura skenaret e rinisjes së vitit të ri shkollor, ku mbisudon ideja që mësimi të kryhet rregullisht në klasa, por me protokolle.

“Kemi zhvilluar një pyetësor për shkollat te nxënësit, prindërit dhe mësuesit, 87% mendojnë se duhet të kthehemi në shkollë në fillim të vitit shkollor dhe vetëm 13% duan kushte shtëpie.

Ne pajtohemi me ju dhe prandaj kemi zhvilluar disa skenarë për mundësinë e hapjes së shkollave në varësi të shkollës, numrit të nxënësve, gjendjes së shkollave dhe nevoja të komunitetit për të qenë fizikisht në shkolla.

Skenarët janë të ndryshëm, ka shkolla që mund të vijojnë normalisht ku mund të ruhet distancimi, ku ka pak nxënës, ka shkolla që punojnë me një turn, por do i ndajmë me grupe të vogla, ka shkolla të tjera në zonat e tërmetit që ka numër të madh që duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne ose duke i çuar në shkollat më të afërta. Ne mund të ruajmë shëndetin duke i hapur shkollat me shumë kujdes”, tha ministrja Shahini.

Ndërsa për kolegen e saj të Shëndetësisë, shkollat nuk kanë shfaqur kosto në përhapjen e infeksionit, së paku deri tani, e nëse ndiqen rregullat, është i mundur mësimi në klasa.

“Transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjienës dhe masa te tjera, ato kanë pak gjasa që të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit, më shumë se sa vendet me densitet të njëjtë të njerëzve, si për shembull në vendet e punës apo vendet argëtuese.

Sa i përket ecurisë së pandemisë, e vetmja konstante që ka një ndikim të drejtpërdrejtë është sjellja njerëzore. Që do të thotë se zbatueshmëria e të vetmeve armë që ne kemi në dorë sot, që janë distancimi fizik, higjiena dhe masat e tjera mbrojtëse, janë parakusht edhe për hapjen e institucioneve arsimore.

Edhe njëherë kërkojmë bashkëpunimin e secilit prej jush për zbatimin e rregullave që na dikton normaliteti i ri, për të kufizuar përhapjen e virusit, duke mos harruar që shëndeti vjen i pari”, arsyetoi Manastirliu. /tesheshi.com/