Regjisori i njohur shqiptar të rrëqeth me fjalët e tij: O Zot ç’janë këto lajme të hidhura, i pamëshirshëm fati

Regjisori Pëllumb Kulla ka dhënë një mesazh rrëqethës për vdekjen nga koronavirusi të aktorit fierak, Fatmir Xhelili. “O Zot! Ç’janë këto lajme të hidhura, që sapo hapim sytë dhe kompiuterin, na vijnë të zeza përpara syve dhe na godasin pa mëshirë. Është një luftë e mallkuar, kjo?! Po, po! Është një luftë e vërtetë. Na e mori edhe Fatmirin!

Jemi të traumatizuar. Pas bisedës së fundit pardje me Metin, i trembeshim këtij lajmi. Edhe ky lajm, erdhi. Lamtumirë Fatmir, u prehsh në paqë, o artist i shtrenjtë! I pamëshirshëm fati, të ikësh në një moshë kaq të re, të shuhesh tok me atë buzëqeshjen tënde të pashterrur, në kohën kur ti ende shpalosje në lartësira dinjitoze talentin tënd të rrallë… Vërtet të rrallë!

Ike aq i ri, o Fatmir, sa unë nuk arrita të të shpreh sa duhet dhe si duhet falenderimin që jetove tok me ne, që të takova aq herët në lulishten e talenteve të reja amatore, që qysh në hapat e para në shfaqjen tënde në skenën profesioniste na dhurove karaktere autoritarë, të papërsëritshëm, që na gëzove me arritjet e rralla në artin tënd, me figura të nivele të larta dhe ndjenjën e shkëlqyer të humorit dhe diapazonin dramatik, që shumë aktorë të komedisë, sado të shquar, nuk e zotërojnë dot. E dëshmojnë recitimet e tua poetike.

Ngushëllime familjes së gjerë Xhelili: Bardhës, fëmijëve, Petritit, Metit, Agimit dhe gjithë njerëzve të dashur të rrethit familjar. Ngushëllime dhe ty, i dashur Petro Koçi, edhepse na helmove me lajmin e kobshëm që na përcolle në këtë vend mijëra e mijëra kilometra oqeanësh larg.

Ngushëllime kolegëve të afërt, Hasanit, Vasos, Luftarit, Zanës, Todit, Natashës, Shpëtimit, Arqilesë, Sotirit, Astritit, Hatemes, Miolës, Mozës, Dorit, Klajdit dhe gjithë familjes artistike të skenës fierake! Unë dhe Xhuljeta nuk jemi atje të të hedhim një dorë dhé, Fatmir Xhelili. Të qoftë i lehtë ai! U pjekshim në kujtimet tona të bukura me ty”, shkruan ai.