Reagon Salianji pasi nuk arriti të kandidojë për deputet

“Unë nuk kam përfituar dhe as jam konsumuar në pushtet. Kam sakrifikuar e investuar fort në betejën opozitare.” Ish deputeti i PD, Ervin Salianji ka reaguar pasi Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve për deputetë vendosi që t’ia lërë vendimin final kryesisë nëse do e fusë në listë për zgjedhjet e 25 Prillit.

Ish deputeti i kujton Lulzim Bashës se ka qenë më i vlerësuari nga anëtarësia e Partisë Demokratike ndërsa shton se në zgjedhjet e fundit parlamentare, ka patur rezultatin më të mirë që ka marrë ndonjëherë PD në qarkun ku garoi.

Reagimi i Ervin Salianjit:

Beteja e gjatë opozitare më ka shërbyer të kuptoj se cili person dua të jem në politikë. Unë nuk kam përfituar dhe as jam konsumuar në pushtet. Kam sakrifikuar e investuar fort në betejën opozitare. Falë kësaj beteje mbështetja masive e demokratëve nuk më ka munguar në asnjë hap të rrugëtimit politik. Në zgjedhjet e fundit me mirënjohje pohoj se isha më i vleresuari nga anëtarësia e Partisë Demokratike.

Po aq me mirënjohje përmend rezultatin më të mirë që ka marrë PD në zgjedhjet e fundit parlamentare në qarkun ku garova falë mbeshtetjes tuaj dhe të qytetarëve. Për këtë dhe vetëmbesimi dhe forca mbështetet tek ju, si vlerësuesit më të rëndësishēm e legjitim. Për këtë misioni im është një dhe i vetëm, demokratët të jenë fitues. #ditëmëtëmira