Ramush Haradinaj reagon ndaj deklaratës së Vuçiç duke bërë kërcënimin: “Zgjidhja është që Serbia të njohë Kosovën e pavarur”

Pasi kreu i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se është krejtësisht kundra Shqipërisë së madhe duke pritur mbështetjen nga Uashingtoni dhe BE, vjen dhe reagimi i Ramush Haradinaj.

Ai i kërkon Vuçiç të qetësohet dhe të mos trembet dhe e këshillon që si zgjedhjen më të mirë për këtë cështje është që Serbia të njohë Kosovën si shtet i pavarur. Ja postimi i plotë i Haradinaj që shoqërohet edhe edhe më një kërcënim të heshtur:

Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë!
Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.

Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës.

Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi.