Rama vjen me një lajm të shkëlqyer për familjet në nevojë, dyfishim të ndihmave ekonomike deri ne fund të pandemisë

Kryeministri Edi Rama ka premtuar dje dyfishim të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë deri në fund të pandemisë. Edhe pse qeveria vendosi afat 6 mujor, duket se kjo ndihmë do të vijojë për shumë muaj. Gjatë fjalës së tij në konferencën e përjavshme “ekonomia në fokus”, kryeministri Rama vuri theksin edhe tek vështirësitë që ka hasur kjo qeverisje për shkak të fatkeqësive dhe pandemisë që prekën vendin.

“Kemi dyfishuar ndihmën ekonomike dhe do ta mbajmë dyfish deri në fund të luftës me armikun e padukshëm. Ndërkohë do të synojmë dyfishimin e saj konstant, deri në fund, gjatë gjithë kohës edhe pas përfundimit të kësaj lufte. Kush gjykon mandatin tonë të dytë dhe dëshiron të japë një gjykim objektiv duhet të mos harrojë për asnjë moment se ky ka qenë mandati më i jashtëzakonshëm i një qeverie në të gjitha vitet, qysh se qeveritë në Shqipëri zgjidhen dhe nuk imponohen nga sistemi monist. Pikërisht sepse gjysma e këtij mandati ka qenë me luftë me dy fatkeqësi të jashtëzakonshme”, tha ai.

Taksat:

Kryeministri Edi Rama foli për taksën progresive dhe taksën e sheshtë. Ai u shpreh se taksa për biznesin e madh nuk do të pësojë rritje. Kryeministri deklaroi se taksa e sheshtë që është pjesë e programit të opozitës, godet 97% të popullsisë, që fitojnë më pak. “Tatimi progresiv mbi pagën e individëve.

Ka pasur një rënie në momentin e parë, pastaj ka ardhur vetëm në ngjitje. Meqenëse predikohet se me taksën e sheshtë mblidhen më shumë lekë. Taksa e sheshtë godet ata që fitojnë më pak. Ju që jeni në ekran do paguani më shumë se sa pronarët tuaj. Taksa e sheshtë është për ata që fitojnë më shumë dhe në mbështetje të tyre dhe goditje për ata që fitojnë më pak. Ata që fitojnë më pak janë 97 %. Taksa progresive mbështet më shumë ju se sa ata. Ne nuk do rrisim taksën për biznesin e madh por as nuk do e ulim”, tha Rama.

Rritje e pagës minimale:

Teksa foli për pagën minimale kryeministri Edi Rama u shpreh se paga minimale nuk do të mbetet kaq sa është, por sipas tij do të rritet çdo vit. Rama theksoi se në vitin 2013 paga minimale ishte më e ulët sesa është sot. “Pagën minimale të cilën e kemi vendosur në 30 mijë lekë tanimë (300 mijë lekë të vjetra) kemi ambicien ta rrisim vit pas viti.

Paga minimale 30 mijë lekë nuk është pikëmbërritje, por një stacion në një rrugë që vazhdon dhe sigurisht që nuk është një shumë për të pritur duartrokitje apo lëvdata, përkundrazi, është një pagë shumë sfiduese, qoftë për subjektet që përfitojnë këtë pagë, qoftë për ne që duam ta rrisim përfitimin e tyre. Në vitin 2013 ishte vetëm 22 mijë lekë pagë minimale, ku po të heqësh edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, shifra bëhet absolutisht e papranueshme. Sot jemi në 30 mijë lekë.

Ambicia jonë është që pagën minimale ta rrisim më tutje dhe siç kemi arritur sot, falë gjithë përpjekjeve të bëra në gjithë këto vite”, tha Rama. Sakaq, Rama bëri me dije se gjatë periudhës që vendi ka qenë në pandemi nuk ka pasur ulje të numrit të bizneseve të vogla por një rritje. Ai bëri një krahasim me vitin 2013 ku numri i bizneseve ishte më i vogël se në 2020. Ndër të tjera, ai u shpreh se gjatë viteve në vazhdim sipas tij do të ketë një rritje të numrit të bizneseve po ashtu edhe të numrit të të punësuarve.

“Dua të fokusohem pak në grafikët e paraqitur. Së pari, shikoni grafikun që rrëzon totalisht të gjithë propagandën e pakësimit të biznesit të bogël. Nuk flasim për një vit të lehtë, flasim për 2020, vitin e pandemisë dhe flasim për fundin e 2020-ës dhe jo për janarin e 2020-ës. 60 mijë biznese të vogla në vitin 2013, 110 428 biznese të vogla në 2020-ën. Duke marrë një shtysë të re, shumë të fuqishme, që ne jemi të bindur do të reflektohet në fund të këtij viti dhe vitet në vijim me rritje të numrit jo vetëm të bizneseve, por dhe të punësuarve”, tha ai.