Rama: Virusi po përhapet në ritme të shpejta, do rimbyllemi sërish

Teksa prej disa ditësh numri i të infektuarve në vendin tonë ka regjistruar nivel shumë të lartë, kryeministri Edi Rama publikoi një video të kancelares Merkel, ku u bëri thirrje qytetarëve që të dëgjojnë mesazhin e saj, e cila thekson se situata është serioze. Por në videomesazh thuhet që gjithçka varet nga veprimet e gjithsecilit prej nesh do të ndikojnë në atë që do të ndodhë në muajt në vijim, vetëm nëse ne do të respektojmë rregullat.

“Të dashur bashkëqytetarë, më së fundmi, duke nisur nga kjo javë ne e dimë se tani jemi në një fazë shumë serioze të pandemisë së koronavirusit. Numri i infeksioneve të reja rritet me hapa të mëdhenj çdo ditë. Pandemia po përhapet me shpejtësi përsëri, më shpejt sesa në fillim, më shumë se në gjysmën e parë të vitit. Stina e verës relativisht e relaksuar ka mbaruar, tani po përballemi me muaj të vështirë.

Se si do jetë dimri, do të vendoset në vijim. Ne të gjithë do e vendosim këtë përmes veprimeve tona. Më lejoni t’ju them se çfarë besoj se do të thotë kjo për të siguruar që virusi të mos përhapet në mënyrë të pakontrolluar. Pra, çfarë mund të bëjë secili prej nesh për të ulur numrat? Mund të bëjë shumë, secili prej nesh vazhdimisht të mbajë distancë minimale, të mbajë mbrojtjen e gojës dhe hundës, të ndjekë rregullat e higjienës”, thuhet në mesazhin e Merkel.

Sakaq kryeministri nuk ka nguruar të përmendë një mbyllje të dytë. Nga Lezha, ku shpërndau tableta digjitale për nxënësit në klasa kolektive, kreu i qeverisë deklaroi se një tjetër mbyllje do të kishte pasoja shumë më të mëdha se izolimi i parë për të gjitha kategoritë. Por nëse qytetarët nuk respektojnë rregullat rreziku nga koronavirusi do të shtohet dhe kjo do të çonte drejt karantinës.

“Është momenti të bëhemi të gjithë të vetëdijshëm se çfarë rreziku po kalojmë. Rreziku që po kalojmë është që të na duhet të mbyllemi përsëri, një mbyllje përsëri do ishte shumë herë më problem dhe me shumë më tepër pasoja se mbyllja e parë në të gjitha aspektet për të gjitha kategoritë.

Ne mund ta shmangim duke mos shmangur atë që duhet të bëjmë në përditshmen tonë, duke mos shmangur bezdinë jo të vogël të vënies së maskës sapo dalim nga shtëpia, të mbajtjes së maskës kudo ku jemi jashtë shtëpisë, të ruajtjes së distancës, të mos shkuarjes në restorante e klube kur nuk është e nevojshme, vërtet, të shmangies të grumbullimeve dhe të shëndetit të të tjerëve duke mos i prishur këto rregulla”, deklaroi Rama.