Rama vazhdon me kritika ndaj BE-së: “Ja çfarë më tha Macron”

Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer dje në kritika të forta në adresë të Bashkimit Europian, pas hezitimit të këtij të fundit për të çelur negociatat me Shqipërinë, me arsyetimin se Tirana zyrtare nuk është gati. Duke folur në Mynih, në Forumin “Europa Park”, Rama u ndal tek krimi i organizuar ndërkombëtar, ndërsa theksoi se gazetat e ekzagjerojnë të vërtetën, pasi krimi nuk është vetëm shqiptar, por ndërkombëtar. Ai theksoi se krimi i organizuar është ndërkombëtar, ndërsa shtoi se nuk mund të citohet se krimi është në Shqipëri. “Të vritesh nga rrjetet sociale dhe nga gazetat nuk mendoj se është burimi për të projektuar të ardhmen. Që një Europë që nuk po funksionon mirë me 27, a mund të funksionojë me 33, normal që është e vështirë. Jo nuk mundet është e pamundur, por kjo nuk nënkupton se nuk është e zgjidhshme n.q.s fuqitë e mëdha nuk gjejnë mënyra për ta përshtatur mekanizmin. Nuk ka krim shqiptar, krimi i organizuar është ndërkombëtar. Në Holandë shqiptarët tashmë janë bërë gjëja më e keqe. Një gazetë me titull të madh se një bandë shqiptarësh ishte shkatërruar. 9 ishin arrestuar, 3 holandezë, një belg, dy nga Polonia, dikush nga Maroku dhe në të ishin dy shqiptarë 65-vjeçarë që ruanin magazinat ku kultivohej droga, por për politikën ishte mirë që ta paraqiste si bandë shqiptare”, deklaroi ai.

Krimi, nuk mund të jenë të ndara shifrat

Më tej kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij ngriti si shqetësim faktin që si është e mundur që krimi të cilin ai e quan ndërkombëtar, ndahet në shifra dhe vende. Sipas tij, kjo gjë dhe qasje e Bashkimit Europian sa i takon etiketimit të krimit është absurde. “Kur bullgarët donin të hynin në BE mendoni se ato do t’i vrisni. Kur donin të hynin rumunët, mendonin se do përplaseshin me lejlekë. Krimi i organizuar është ndërkombëtar, jo vetëm shqiptar. Nuk ka vetëm një person kriminal që nuk ka të paktën 4 kode numrash, në Gjermani, Holandë, etj. Si është e mundur që të dhënat për kriminalitetin janë të shkëputura”, u shpreh ai. Po ashtu, përmes batutave Rama tha se Europa do të martohet me Shqipërinë, por nga ana tjetër nuk i flet asaj. Sipas tij, të privosh vendet nga anëtarësimi është e pakuptimtë, ndërsa në fund u bëri thirrje që të vizitojnë Shqipërinë, duke u shprehur se për të huajt është vendi më i sigurt në Europë. “Nuk mund të imagjinoj një shtëpi që mund të funksionojë mirë nëse nipat e vegjël i vënë veto gjyshërve. Pozicioni ynë është shumë i çuditshëm. Ne jemi të verbuar nga dashuria për Europën, por ajo thotë se do të martohet me ne. Por si mund të martohemi kur Europa nuk na flet. Negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona. Anëtarësimi do të vijë për pasojë të saj, por negociata është ajo çka është reale për ne. T’i privosh vendet nga ky instrument është pa kuptim. Është momenti i duhur për t’ju thënë ejani të vizitoni Shqipërinë, është larg 1 orë e disa minuta. Nuk do të pendoheni. Është vend i bukur, për të huajt është vendi më i sigurt në Europë”, tha ai.

Rama: Ja çfarë më tha Makron

Por kryeministri Edi Rama ka zbuluar nga Mynih në Gjermani se presidenti i Francës, Emanuel Macron i ka pohuar privatisht se integrimi në BE do të jetë i vështirë për shkak të kundërshtares së tij politike, Marin le Pen. Rama thotë se i ka kërkuar Macron që ta thotë publikisht një deklaratë të tillë. “Emanuel Macron më ka përsëritur shpesh se çelja e negociatave me Shqipëri do të jetë e vështirë për shkak të Marin le Pen. I thashë pse nuk e thua publikisht. Publikisht thonë se shqiptarët kanë probleme dhe opinioni publik e percepton se ne po bëjmë diçka të gabuar dhe se jo Macroni ka probleme me zgjedhjet. Ne jemi të dashuruar me një dashuri të verbër me Europën. Sikur duam të martohemi, por nuk flet. Ne duam të martohemi me ju, por duhet të flasim. Ne duhet të bëhemi shtete të besueshme demokratike”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.