Rama: Nuk ka korona ballkanike, po bëhen lojëra me numrat e të infektuarve, sjelljet e Kinës të çuditshme

Kryeministri Edi Rama ka dhënë ditën e djeshme një intervistë për gazetën gjermane BILD, ku ka folur kryesisht për koronavirusin. Rama shprehet se Shqipëria nuk ka pasur aq numra të mëdhenj sa të ndikojë edhe tek pandemia në Gjermani. Sipas Ramës nuk ka korona ballkanike, por sipas tij politika ka arritur që të njollosë këtë situatë dhe ta transmetojë deri tek njerëzit.

“Kjo është politikë, sepse nuk ka korona ballkanike, nuk ka mafia ballkanike dhe as tërmet ballkanik ose sëmundje ballkanike. Por, politika ndonjëherë ka nevojë dhe në ditët e sotme gjithnjë e më shumë për këto njollat dalluese për të arritur te njerëzit. Sigurisht që s’na vjen mirë, por jemi mësuar me të. Nuk është hera e parë. Duhet të merremi me këtë stereotip dhe të përpiqemi të shpëtojmë prej tij”, tha Rama. Kryeministri shtoi më tej se me numrin e të infektuarve po bëhen lojëra, duke shtuar se qeveria shqiptare ka qenë mjaft transparente me shifrat e të prekurve. Por kryeministri theksoi se hapja solli edhe sfidën e vet më të madhe në përballje me virusin.

“Unë nuk mendoj se shtetet e Ballkanit paraqesin kërcënim për Gjermaninë apo ndonjë tjetër në Bashkimin Europian dhe tekefundit shifrat flasin vetë. Kjo s’ka të bëjë me numrat e lartë apo me numrat që për këdo janë një kërcënim. Kur mendoj se Kina ka pesë raste sot dhe Shqipëria ka 100, atëherë kjo s’më duket se shkon. Dua të them që ka shumë lojëra me numrat. Ne kemi vendosur të jemi jashtëzakonisht transparentë në këtë drejtim. Sigurisht, pas hapjes, u përballëm me një sfidë që ishte më e madhe, sepse ka të bëjë edhe me sjelljen e të gjithë qytetarëve”, tha Rama.

Por kryeministri është pyetur edhe nëse Kina duhet të paguajë për dëmin që ka shkaktuar me COVID-19. Për këtë, Rama tha se sjelljet e Kinës deri tani janë mjaft të çuditshme. “Unë do të mbroja fuqimisht idenë që të sqarohet se si po ndodh e gjithë kjo. Dhe sigurisht nëse dikush ka luajtur lojën e gabuar, duhet të paguajë. E gjithë çështja është se pse bota nuk u informua në kohën e duhur. Pse ka kaq shumë pikëpyetje në lidhje me karantinën në Kinë dhe udhëtimin lirisht nga Kina jashtë saj? Këto janë pyetje që nuk duhet të çojnë në teori konspirative, por në një hetim të qartë dhe në një analizë shumë të plotë. Dhe nëse përfundimi është se gjërat luhen në mënyrë të gabuar, atëherë ata që janë përgjegjës duhet të paguajnë”, tha Rama.