Rama në Greqi pas Turqisë: Cili është mesazhi nga Erdogan për udhëheqjen greke?

Kryeministri Rama ndodhet në Athinë fill pas një vizite të bujshme në Ankara, ku u vulos dhe më tej një partneritet Turqi-Shqipëri.

Për shumëkënd tashmë, shefi i qeverisë shqiptare po kryen dhe një rol negociatori mes Ankarasë dhe Athinës, në kuadër të krizës së dy vendeve, për më tepër anëtarë të NATO-s, shpërthyer nga mosmarrëveshjet detare në Mesdheun lindor.

Po si u gjend Rama në një pozicion të tillë?

Kjo ndodhi në gusht, ku i pari i qeverisë shqiptare u ftua familjarisht për fundjavë nga Erdogan në rezidencën e tij në Marmaris. Prej aty, Rama kaloi në Athinë duke u takuar me homologun grek Mitsotakis dhe kryediplomatin Nikos Dendias, me të cilin ka krijuar dhe një miqësi personale. Nuk dihet nëse kjo ishte një koincidencë apo një inisiativë e e atypëratyshme, por patjetër që Rama përcolli në Athinë një mesazh nga Erdogan.

Cili ka qenë ky?

Burime të afërta me dyshen udhëheqëse shqiptaro-turke flasin për një propozim dhe një këshillë që Erdogan i dërgon Greqisë për zgjidhjen e krizës me tyre, ku në thelb është ajo që Athina mos t’i varrë shpresat te Macron kundër Turqisë, posaçërisht te Macron, pasi nuk do ketë asnjë rezultat. Për Erdogan, formula e zgjidhjes gjendet vetëm te ai, te Turqia, në qasjen që Greqia duhet të ketë që mosmarrëveshjet me fqinjin t’i zgjidhë po me fqinjin, pa u hapërdarë në palë të treta, sidomos kur është fjala për Francën.

Për Erdoganin, si dy fqinj, ata mund të shfytëzojnë që të dy pasuritë nëndetare mes tyre, duke e gjetur zgjidhjen po mes tyre edhe për mosmarrëveshjet detare. Ndaj dhe Turqia po fton herëpashere Greqinë për t’u ulur e biseduar mes tyre.

Për Erdogan, Greqia duhet ta kuptojë se Turqia është dhe po bëhet një fuqi e atillë sa vetëm të qëndruarit “pranë saj” të garanton edhe paqen edhe zhvillimin. Tjetër rrugë, aq më pak nga Franca, do jetë vetëm në dëm të saj, e sigurisht, aspak ndaj Turqisë.