Rama ndërmjetës i konfliktit greko-turk? Agim Nesho bën deklaratën e fortë, tregon çfarë mund të ndodhë

Ish-ambasadori Agim Nesho duke komentuar marrëdhëniet konfliktuale Turqi-Greqi thotë se në gjithë këtë proces e fituar del vetëm Turqia.

“Ka një tentativë të Turqisë që kërkon të ridimensionojë politikën e saj të jashtme, jo vetëm në ambiciet e saj për zgjerimin e perandorisë së re, por duke iu rikthyer bashkëpunimet me BE. Turqia për fat të keq kërkon të përdorë Shqipërinë për të maksimizuar veprimtarinë e tyre. Më duket një iniciativë e iniciuar nga Turqia më shumë se sa nga Shqipëria”, thotë Nesho.

Iniciativën e qeverisë shqiptare për të qenë në rolin e ndërmjetësit, Nesho e sheh të tejkaluar.

“Ka një iniciativë për të bërë rolin e ndërmjetësit. Kjo iniciativë për mendimin tim është e tejkaluar, Shqipëria nuk mund ta realizojë këtë rol, për vetë faktin se kontradiktat midis Turqisë dhe Greqisë për çështjen e detit, është një problem i vjetër, kanë insistuar fuqi të tjera më të mëdha. Është loja e radhës për tu përshtatur në këto zhvillime të reja të politikës botërore. Vendi jonë nuk përfiton asgjë”, thotë ndër të tjera ish-ambasadori Nesho.

Greqia dhe Turqia pas 6 vitesh heshtje tashmë pritet që të takohen me 25 janar, siç është konfirmuar një ditë më parë nga të dy palët. Mediat greke nuk kanë hezituar të përmendin rolin e Shqipërisë dhe Kryeministrit Edi Rama në rikthimin e dialogut mes palëve. Për këtë arsye është diskutuar dhe mundësia që një takim Turqi-Greqi të zhvillohet në Tiranë.