Rama bën atë qe nuk pritej, fton Lulzim Bashën për bashkëpunim

Kryeministri Edi Rama i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit kreut të opozitës Lulzim Basha për përballimin e pandemisë. Javët e fundit ka pasur replika midis kryeministrit dhe liderit të opozitës, por duket se Rama ka ndërruar kurs. Duke folur dje në Parlament, ai i bëri ftesë opozitës që të bashkohet me shumicën për të dhënë mbështetje në përballimin e pandemisë në vend. Po ashtu kryeministri i është drejtuar opozitës që të mos dezinformojë publikun. “Ka një opozitë, ajo jashtëparlamentare që për fat të keq edhe njëherë në 100 kur bie një sëmundje mbi tërë botën dhe prek dhe Shqipërinë nuk gjen arsye dhe forcë morale për t’u bashkuar me shumicën dhe për të luajtur një rol konstruktiv, jo duke hequr dorë nga kritikat, jo nga detyra për të nxitur qeverinë në drejtimin e duhur, por mos të bëjë krimin e dezinformimin e një realiteti. Është kriminale t’u thuash qytetarëve që spitalet janë në kolaps, mund të ishin, por nuk janë”, u shpreh Rama. Kryeministri ka vijuar me tej duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për aparaturat në spitalet e vendit, ndërsa ka thënë se janë të njëjta si në çdo vend tjetër, ndërsa theksoi se në vendet e tjera asnjë opozitë nuk ia hedh fajin qeverisë. “Kam dëgjuar se bëhen vetëvrasje se bën zhurmë sistemi i oksigjenimit, absurde. Thonë që ka një zhurmë të barabartë me zhurmën e ngritjes së avionëve, kjo zhurmë është e njëjta në të gjithë botë se të njëjta janë aparaturat. Nuk është vetëm këtu që ka të vetëvrarë në spitale, ka pasur edhe në vende të tjera dhe në asnjë vend tjetër nuk është hedhur përpjetë asnjë opozitë për t’ia faturuar këto fatkeqësi qeverisë. Ashtu sikundër, personeli shëndetësor në Belgjikë edhe pse me Covid u urdhërua që të vazhdojë punën në spitalin Covid për shkak të shterimit të burimeve njerëzore dhe këtë nuk e them unë, ky lajm u përhap me shpejtësi gjithandej dhe të tilla ka në të gjitha vendet”, u shpreh Rama.

Krahasimi me jashtë

Po ashtu, kryeministri gjatë fjalës së tij la të kuptohej se dhe në familjen e tij ka pasur të infektuar nga Covid, por as ata, as ministrat e kabinetit qeveritar, nuk kanë shkuar në Turqi. “Për mos dhënë shembuj dhe të familjes tani për të thënë që nuk shkojmë ne në Turqi. Për një arsye të thjeshtë jo se nuk ka shërbim shumë më të specializuara në spitalet e Europës kur vjen puna për sëmundje të veçanta, por se në këtë rast me këtë sëmundje s’ka asgjë jashtë Shqipërisë që nuk është në Shqipëri, asgjë, as ndonjë protokoll të veçantë shoqëror, as ndonjë aparaturë të veçantë as staf mjekësh me përkushtim që këta tanët nuk e kanë. Thonë që shkojnë qeveritarët në Turqi, nuk është e vërtetë, ne s’ndalojmë njeri të shkojë meqë rruga është e hapur, por asnjë qeveritar s’ka shkuar në Turqi e janë disa që e kanë kaluar e po e kalojnë nga ministrat tanë Covid, asnjë s’ka shkuar”, u shpreh Rama.

Situata e testimeve

Gjatë fjalës së tij kryeministri foli edhe mbi financimin nga ana e qeverisë për të marrë vaksinën anti Covid si pjesë e paketës COVAX, ndërsa hodhi poshtë akuzat e opozitës mbi testimet. “Strategjia e testimit lidhet me identifikimin dhe gjurmimin. Nuk testohet për të testuar. Sot në Lombardi, në rajonin më të pasur të Italisë, me shëndetësi ekselente, autoritetet shëndetësore nuk të bëjnë tamponin, nëse nuk ke simptoma të një grade të caktuar, por të thonë të qëndrosh në shtëpi. Vajtja me turravrap për të bërë tamponin te privati dhe për të paguar atje para, që shpenzohen në mënyrë të panevojshme, mund të shërbejë për të hequr një merak, por nuk ka lidhje me mënyrën e trajtimit të armikut në këtë luftë. Asnjë shtet sot që flasim, tani, nuk bën më atë që bënte në periudhën e mëparshme. Edhe shtetet që bënin testime, testime, tani janë frenuar, duke u përpjekur të fokusohen aty ku Shqipëria dhe disa vende të tjera janë fokusuar qysh në krye të herës”, deklaroi kryeministri Rama.