Qeveria merr vendimin, shkollat hapen në shtator, ja si do zhvillohet mësimi

Qeveria ka vendosur ditën e djeshme për hapjen e shkollave, duke njoftuar kështu se nxënësit e arsimit parauniversitar do të rikthehen në klasa më 14 shtator. Dy ditë më parë Partia Demokratike bëri një denoncim ndaj qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit sa i takon hapjes së shkollave, duke thënë se shtatori po afron dhe Ministria e Arsimit nuk ka paraqitur ende asnjë plan. Por dje ministria e Arsimit, Besa Shahini dhe ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një deklaratë të përbashkët njoftuan se shkollat do të hapen më 14 shtator, pavarësisht numrit në rritje të rasteve.

Shahini në fjalën e saj përmendi se MASR ka kryer një pyetësor ku sipas të cilit nga 135 mijë persona të pyetur, 87% ishin pro hapjes së shkollave në shtator dhe vetëm 13% ishin shprehur në favor të zhvillimit të mësimit nga shtëpitë. “Ne mund të ruajmë shëndetin e nxënësve dhe mësuesve duke i hapur shkollat me shumë kujdes”, tha Shahini. Mirëpo, hapja e shkollave ka qenë një dilemë e madhe për të gjitha qeveritë, pasi menaxhimi i vitit të ri shkollor në kushtet e pandemisë duket i vështirë.

Ndërsa dje Shahini theksoi se skenarët për hapjen e shkollave janë të ndryshëm në varësi të numrit të nxënësve në shkolla të caktuara, duke planifikuar mësime me dy turne apo zhvendosje të tyre nga njëra shkollë në tjetrën për të garantuar distancimin fizik. “Ne duam t’i hapim shkollat për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave që kanë shkollat. Në shkollat që kanë pak nxënës mësimi do vijojë normalisht, në shkollat me më shumë nxënës mësimi do të bëhet me turne, duke i ndarë nxënësit në grupe të vogla, në mënyrë që të ruhet distancimi mes tyre”, tha ministrja mes të tjerash.

Ministria e Shëndetësisë:

Nga ana tjetër ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se parakusht për hapjen e shkollave vlerësohet krijimi i kushteve dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë, të përcaktuara tashmë nga ekspertët e shëndetit publik. “Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjeno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit. Ndaj çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social dhe sigurisht duke vlerësuar në dinamikë situatën epidemiologjike”, tha Manastirliu.

Nga pikëpamja epidemiologjike, nga vlerësimet sistemike të kryera nga Qendra Europiane e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve, rezulton se transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjienës dhe masa të tjera, ato kanë pak gjasa që të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit, më shumë se sa vendet me densitet të njëjtë të njerëzve, si psh në vendet e punës apo vendet argëtuese. Ministrja e Shëndetësisë kërkoi bashkëpunimin e çdo qytetari për zbatimin e rregullave që dikton normaliteti i ri, duke theksuar se qëllimi madhor mbetet siguria dhe shëndeti i fëmijëve, arsimtarëve, prindërve, gjyshërve dhe të gjithë qytetarëve.

“Sa i përket ecurisë së pandemisë, e vetmja konstante që ka një ndikim të drejtpërdrejtë është sjellja njerëzore. Që do të thotë se zbatueshmëria e të vetmeve armë që ne kemi në dorë sot, që janë distancimi fizik, higjiena dhe masat e tjera mbrojtëse, janë parakusht edhe për hapjen e institucioneve arsimore. Edhe njëherë kërkojmë bashkëpunimin e secilit prej jush për zbatimin e rregullave që na dikton normaliteti i ri, për të kufizuar përhapjen e virusit, duke mos harruar që shëndeti vjen i pari”, tha Manastirliu.