Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore del me njoftimin e rëndësishëm

Java e dytë e muajit korrik ka shënuar rritje të numrit të telefonatave në numrin 127 të Urgjencës. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore njofton përmes një statusi në rrjetet sociale se “më shumë se 15 mijë thirrje kanë mbërritur drejt numrit 127 në javën e dytë të muajit korrik, duke regjistruar një tendencë në rritje, kjo edhe për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19”.

“Po ashtu nisur nga situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 është rritur edhe numri i misioneve, ku stafi i terrenit të Urgjencës Kombëtare ka dhënë ndihmën mjekësore për të gjithë qytetarët që kanë pasur nevoja mjekësore“.

Por “fatkeqësisht është trefishuar edhe numri i referimit për tampon te epidemiologët, çka nënkupton se është një tendencë në rritje edhe e numrit të të infektuarve”, – thekson Qendra Kombëtare e Urgjencës.

Bazuar në Rekomandimet e OBSH-së, QKUM këshillon qytetarët për shtimin e masave të higjienës dhe ndjekjen e rregullave të mëposhtme:

“Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.

Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.

Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).

Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.

Të nderuar qytetarë evitoni festat apo ceremonitë me më shumë se 10 persona në këto ambiente, dhe për më tepër duhet të jenë të rrethit të ngushtë familjar.

Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njërëzve tuaj të dashur.

Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127

QKUM në shërbimin tuaj!”, – thuhet në njoftim.