Pse po rrëzohen kaq shpesh avionët në Indonezi? Ekspertët bëjnë publike të dhënat e rëndësishme

Rrëzimi i një aeroplani në Indonezi të shtunën menjëherë pas ngritjes nga kryeqyteti i vendit Xhakarta, në bordin e së cilit ishin 62 persona, ka vënë edhe një herë në qendër të vëmendjes sigurinë e industrisë së aviacionit të këtij shteti.

Autoritetet indoneziane tashmë kanë njoftuar se kanë gjetur vendin ku besojnë se u rrëzua një aeroplan pasagjerësh Boeing 737, i cili u zhduk nga radari katër minuta pas fillimit të udhëtimit të tij për në Pontianak, në provincën perëndimore Kalimantan.

Indonezia është shtet në Azi ku ndodhin më së shumti aksidente ajrore të avionëve të pasagjerëve që nga viti 1945, raporton AP. Në të kaluarën, aksi dentet ajrore i janë atribuuar trajnimit të dobët të pilotëve, problemeve mekanike, probleme që lidhen me kontrollin e trafikut ajror apo mirëmbajtjes së dobët të aeroplanëve.

Edhe pse ekspertët thonë se ka pasur shumë përmirësime në vitet e fundit, aksidenti i fundit ka vënë në dyshim progresin e vërtetë të mbikëqyrjes dhe rregullimit të aviacionit në Indonezi.

Pse ka pasur Indonezia shumë aksidente me aeroplanë?

Kjo është për shkak të një kombinimi të faktorëve ekonomikë, socialë dhe gjeografikë.

Në vitet e para kur industria e aviacionit në Indonezi mori hov, pak kohë pas rënies nga pushteti i presidentit Suhatro në fund të viteve të 90-ta, u hap ekonomia, pas dekadash në diktaturë dhe në këtë kohë kishte pak rregullativa dhe pak mbikëqyrje të industrisë së aviacionit. Suhatro ishte presidenti i dytë i Indonezisë, i cili kishte udhëhequr me vendin për 31 vjet, nga viti 1967 e deri kur dha dorëheqje më 1998.

Transportuesit ajrorë me kosto të ulët vërshuan tregun, duke bërë fluturimin një mënyrë të zakonshme të transportit nëpër këtë arkipelag, i cili ka shumë zona ku ende nuk ka infrastrukturë efikase ose të sigurt.

Sipas të dhënave nga Rrjeti i Sigurisë së Aviacionit, Indonezia ka pasur 104 aksidente të avionëve civilë, me mbi 1.300 viktima që nga viti 1945, duke e renditur atë si vendin më të rrezikshëm për të fluturuar në Azi.

Shtetet e Bashkuara ndaluan transportuesit indonezianë që të operojnë në vend nga viti 2007 deri më 2016 sepse ata ishin “kishin mangësi në një ose më shumë fusha, siç janë ekspertiza teknike, personeli i trajnuar, mbajtja e regjistrave ose procedurat e inspektimit”. Bashkimi Evropian kishte një ndalim të ngjashëm nga viti 2007 deri më 2018.