Pse hidhen pacientët nga spitalet? Rama zbulon të vërtetën

Kryeministri Edi Rama ka folur për akuzat e PD lidhur me situatën në spitale dhe vetëv.rasjet e pacientëve. Rama tha se është një turp i madh që në një situatë të tillë fatkeqësie, opozita hidhet përpjetë duke ia faturuar të gjithë përgjegjësinë qeverisë. Më tej Rama mori shembull edhe familjen e tij, duke thënë se asnjë nga pjesëtarët e familjes nuk kurohet në Turqi. Sipas tij, spitalet në vendin tonë i kanë të gjitha kushtet e nevojshme, por ata që duan që të trajtohen jashtë shtetit nuk mund t’i ndalojë. Rama u shpreh se asnjë nga ministrat e tij nuk është kuruar jashtë vendit, pasi e kanë kaluar koronavirusin në Shqipëri.

“Ka një opozitë, ajo jashtë parlamentare që për fat të keq edhe njëherë në 100 vjet kur bie një sëmundje në të gjithë botën dhe prek dhe Shqipërinë nuk gjen arsye dhe forcë morale për t’u bashkuar me shumicën dhe për të luajtur një rol konstruktiv, jo duke hequr dorë nga kritikat, jo nga detyra për të nxitur qeverinë në drejtimin e duhur, por mos të bëjë krimin e disinformimin e një realiteti. Është vërtetë kriminale të thuash sot se spitalet janë në kaos, që të sëmurët dergjen dyshemeve, mund të kishte ndodhur, por nuk ka ndodhur.

Që mungojnë ilaçet, që nuk është e vërtetë, protokollet tona që përdoren në spitale janë të njëjtat që përdoren në Francë etj. E deri te ajo që njerëzit në spitale hidhen nga ballkoni për shkak të zhurmës së procesit të oksigjenimit. Kjo është absurde, kemi të gjithë aparatura që ka edhe bota. E gjitha kjo krijon një pasiguri propaganda që vetëm këtu ka ndodhur vetëvrasje, të vetëvrarë në spitale ka pasur edhe në vende të tjera dhe në asnjë vend tjetër nuk është hedhur përpjetë asnjë opozitë për t’ia faturuar këtë tragjedi qeverisë. Ne nuk bëjmë dallim nga të tjerët, nuk kemi aspak taksirate nga kjo flamë, por ama nuk kemi asgjë mangët. Thonë se qeveritarët shkojnë në Turqi, nuk është e vërtetë, ne nuk mund t’i ndalojmë njerëzit që mendojnë se mund të marrin një shërbim më të mirë atje. Asnjë nga ministrat që janë infektuar dhe po e kalojnë koronavirusin nuk ka shkuar në Turqi. Për të mos kaluar më pas tek familjarët, që për asnjë shërbim nuk shkojmë në Turqi. Nuk na mungon asnjë aparaturë. Vajtja me vrap për të bërë tamponin tek privati, që është e kushtueshme, mund të shërbejë për të hequr një merak por nuk ka lidhje me mënyrën e trajtimit të kësaj sëmundje”,- tha Rama.