Propozimi për hapjen e listave 100%, Meta habit me deklaratën për Bashën: Po shlyen një gabim të PD-së

Presidenti Ilir Meta ka mbështetur propozimin e opozitës së bashkuar për hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë, duke e quajtur vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha si tregues i përgjegjshmërisë dhe lidershipit.

Meta tha se nuk beson që Rama ta ketë refuzuar këtë propozim, siç u raportua në media, dhe tha se hapja 100% e listave do të mundësojë “rivendosjen e parlamentarizmit të goditur rëndë”.

Kreu i Shtetit tha se me këtë propozim, Basha po shlyen edhe një gabim të PD-së që votoi në 2008-ën për mbylljen e listave.

“Së pari nuk e besoj që të jetë refuzuar një propozim i tillë, si ky që ka bërë zoti Basha, nga ana e zotit Rama, besoj se është një fake neës. Përshëndes këtë akt të përgjegjshëm dhe historik të kryetarit të PD dhe opozitës së bashkuar për të dhënë dakortësinë e tij për hapjen 100% të listave për kandidatë për depuetë për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që deputetët e ardhshëm të jenë pronë e qytetarëve të Shqipërisë, dhe jo zara të kryetarëve të partisë që ngrenë kartonët duke dhunuar Kushtetutën, ligjin, interesin kombëtar dhe interesin publik, dhe i nxis palët që sa më shpejt të punojnë, deri në 30 korrik, 31 korrik, 1 apo 5 gusht, bashkë me ekspertët e ODIHR, dhe ekspertët e BE për të gjetur mënyrat më të mira të funksionimit të listave 100 për qind të hapura, në mënyrë që në Shqipëri të vendoset parlamentarizmi që është goditur aq rëndë që nga viti 2008. Dhe në këtë mënyrë zoti Basha jo vetëm tregon përgjegjshmëri dhe lidership, por edhe shlyen një gabim të PD-së që votoi atëherë për mbylljen e listave, për çdo arsye.”-tha Meta.