Prishen raportet brenda opozitës, ja veprimet e fundit që po bën LSI

Ashtu siç gazeta e ka deklaruar më parë, ndryshimi i Kodit Zgjedhor që i hap rrugë heqjes së koalicioneve partiake parazgjedhore, ka shkaktuar krisjen e raporteve brenda opozitës së bashkuar dhe shtuar rivalitetin mes partive. Prej disa ditësh i gjithë spektri politik ka zbritur në bazë për të karikuar elektoratin sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Partia Socialiste nga njëra anë dhe Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim po përdorin çdo strategji për të “joshur” e bindur qytetarët që të votojnë për to në zgjedhjet e ardhshme.

Por teksa është normale që socialistët të sulmojnë demokratët, ndaj këtyre të fundit ka nisur një fushatë kundër edhe nga aleatja e saj LSI. Burime të sigurta nga selia blu i pohuan gazetës se disa degë të Partisë Demokratike janë alarmuar, ndërsa i janë ankuar kryedemokratit Lulzim Basha, duke ia bërë të qartë se partia e Kryemadhit në takimet me bazën dhe strukturat e saj ka nisur një fushatë kundër PD-së.

LSI fushatë kundër PD në takimet me bazën.

Mësohet se në këto takime zyrtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë kërkuar që në zgjedhjet e 25 prillit të votohet për partinë që drejtohet nga Monika Kryemadhi, pasi sipas tyre, LSI është ajo që do të vendosë për qeverinë e ardhshme. Në këtë kontekst, mësohet se ata kanë kërkuar dhe kanë dërguar mesazhe që të votohet vetëm për Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila është një “ombrellë” për t’u mbrojtur vendet e punës demokratëve dhe madje edhe socialistëve. Kjo joshje që po bën LSI-ja ndaj demokratëve nuk është e panjohur, sepse të njëjtën skemë ky subjekt politik ndoqi edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke bërë që ta ruante disi rezultatin e vitit 2013.

Po ashtu, mësohet se pjesë të joshjes Lëvizja Socialiste për Integrim po përdor edhe politikën e butë që po ndjek Partia Demokratike në raportet me Partinë Socialiste, ku mësohet se në takimet që ka pasur me bazën, kjo parti ka pasur si synim që përveç rivalitet brenda opozitës, ta kompleksojë Bashën. Jo vetëm për paktin e 17 majit që bëri me Ramën, të cilin e konsideron si tradhti ndaj demokratëve, por me të gjithë fushatën e fshehtë që po bën duke e afishuar veten si opozita e vërtetë përballë Ramës. Kështu që, të ndodhur përpara kësaj situate disa degë të PD janë alarmuar për fushatën e nisur nga LSI kundër tyre, duke e vënë në dijeni kryedemokratin Basha për ato që ndodhin në bazë. Pra, ky rivalitet i shtuar duket se po kris edhe raportet brenda opozitës, pasi ndryshe nga Lulzim Basha, i cili nuk e vë më “kujën” për 5 qershorin, Ilir Meta dhe LSI i mëshon fort pretendimit se marrëveshja është shkelur, pasi Kodi i ri Zgjedhor që ndalon koalicionet parazgjedhore dëmton më shumë partinë e Kryemadhit.

Edhe aleatët e PD të pakënaqur me Bashën.

Por presione në adresë të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha po ushtrojnë edhe aleatët tradicionalë të PD, të cilët kërkojnë të dinë nga shefi i selisë blu se si opozita do të hyjnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Aktualisht opozita nuk është shprehur nëse do të hyjë me një listë apo me disa lista në zgjedhje, duke qenë se nuk do të ketë më koalicione parazgjedhore, ndërkohë që aleatët e Bashës, përveçse i kanë kërkuar këtij të fundit që t’i fusë në listat fituese të PD, po dërgojnë edhe mesazhe.

Sinjali më i freskët ka ardhur nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili teksa dje ishte i ftuar në një studio televizive deklaroi se opozita duhet të kishte nxjerrë listën e kandidatëve për deputetë dhe kabinetin qeverisës. “Unë mendoj është që opozita shqiptare duhet të kishte dalë sot me kandidaturat e veta, pavarësisht nga varianti elektoral që do të kishte. Nuk duhet të vonojë asnjë ditë për të konceptuar kush do jenë drejtuesit që do të drejtojnë fushatën elektorale, jo vetëm në qendër, por në të gjitha sipërfaqet e gjeografisë shqiptare”, deklaroi Mediu.