Presidenti amerikan Biden vjen me një njoftim të rëndësishëm

Presidenti Joe Biden do t’u kërkojë të premten vendeve demokratike botërore e aleatëve evropianë që të punojnë së bashku për të trajtuar një sërë shqetësimesh që lidhen me Kinën, por nuk po kërkon një “Luftë të re të Ftohtë”, tha një zyrtar i lartë i administratës.

Presidenti demokrat, i cili u inaugurua më pak se një muaj më parë, do të përdorë një “vizitë virtuale” në Evropë për të rivendosur Shtetet e Bashkuara në rolin e një lojtari të një ekipi shumëpalësh, pas katër vitesh politike përçarëse, nën moton “Amerika e Para” të ish-Presidentit Donald Trump.

Zoti Biden do të premtojë rreth 4 miliardë dollarë për përpjekjet globale të vaksinimit kundër koronavirusit, futjen sërish të Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen e Parisit për klimën si dhe do të flasë mbi të ardhmen e një pakete për të shpenzuar rreth 2 trilionë dollarë, e cila do të mbështeste jo vetëm ekonominë amerikane, por edhe ato globale.

Presidenti Biden do të marrë pjesë virtualisht në takimin e Grupit të 7-s ku marrin pjesë udhëheqës nga Britania, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Japonia, por ai planifikon t’i takojë ata personalisht këtë verë, në një takim të organizuar nga Britania.

Më vonë gjatë ditës së sotme (e premte) zoti Biden do të flasë në një tjetër takim virtual, në Konferencën e Mynihut mbi Sigurinë, një takim që bën bashkë udhëheqës të lartë botërorë gjatë të cilit disa vite më parë në cilësinë e një qytetari privat ai siguroi pjesëmarrësit e tronditur nga presidenca e zotit Trump, duke u thënë se: “Ne do të rikthehemi”.

Zoti Biden pritet të nënvizojë se demokracitë dhe jo autokracitë, ofrojnë rrugën më të mirë përpara për botën. Pas sulmit të 6 janarit ndaj Kapitolit nga mbështetës të zotit Trump ai bëri të qartë se demokracia ishte e brishtë.

“Ai (Presidenti Biden) do të mbështesë fort argumentin se demokracia është modeli më i mirë për të përmbushur sfidat e kohës ku jetojmë”, tha një zyrtar i lartë amerikan. “Demokracia nuk është diçka e rastësishme. Ne duhet të luftojmë për të”, pritet të shprehet Presidenti Biden në takim./VOA