Premtimi i Lulëzim Bashës: Do ta çlirojmë tregun nga monopolet, ja si do ndalojmë ikjen e të rinjve

Largimi i shumë të rinjve dhe profesionistëve ka shërbyer për opozitën jashtëparlamentare që të akuzojë qeverinë. Partia Demokratike ka një kohë të gjatë që ka nisur fushatën elektorale, ndërsa ka zbritur në terren për të takuar qytetarët, por edhe ka shpalosur programin e ekonomisë. Por ditën e djeshme, kreu i PD Lulzim Basha ka shpalosur edhe planin për të rinjtë. Kreu demokrat ka reaguar pas një raporti të Gallup, ku del se Shqipëria është ndër vendet me largimin më të madh të të rinjve në rajon. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Basha akuzon Ramën se u ka marrë të rinjve më shumë lekë se çdo qeveri tjetër, si dhe në vend të tyre ka promovuar ata me rekorde kriminale.

Basha shtoi më tej se arsyeja pse të rinjtë po largohen në grup është se ata kanë më pak mundësi për t’u arsimuar, por edhe për t’u punësuar. Kreu i selisë blu theksoi se 1 në çdo 3 persona që largohen nga vendi jonë është i ri. “Një në çdo 3 persona që ikën nga vendi ynë është i ri apo e re, ndërsa Shqipëria është ndër vendet me largimin më të madh të trurit në rajon, sipas raportit më të fundit nga Gallup. Sot shqiptarët largohen sepse kanë më pak mundësi për arsimim, dhe ata që arsimohen më pak mundësi për punësim. Me Edi Ramën janë promovuar ata që kanë rekorde kriminale dhe jo të rinjtë e mirëshkolluar. Taksat e larta të qeverisë Rama këto 7 vjet kanë marrë më shumë para nga xhepat e të rinjve se çdo qeveri tjetër, teksa korrupsioni nuk lë të ecin përpara ata që janë profesionistë të ndershëm”, u shpreh Basha.

Ja plani për të rinjtë

Më tej lideri demokrat thotë se PD ka një plan që mbështet iniciativat dhe punësimin e të rinjve si dhe premton për një qeveri që ofron mundësi dhe u del krah shqiptarëve. Basha theksoi se PD kur të vijë në pushtet do frenojë largimin e të rinjve dhe do çlirojë tregun nga monopolet, që sipas tij ekonomia e vendit tonë të marrë frymë lirshëm. Basha tha se PD do të jetë një qeveri që do të ofrojë shumë mundësi dhe punë për të gjithë brezin e ri. Në planin e demokratëve theksohet se çdokush që do të arsimohet dhe të japë më të mirën nga vetja ta ushtrojë në vendin e tij. “Largimi i të rinjve është një plagë tjetër e madhe për Shqipërinë. Ne do të bëjmë gjithçka për ti mbajtur në vendin tonë të rinjtë si krahun më vital të punës. Plani ynë do të mbështesë iniciativat e të rinjve, kushtet e duhura për punësimin dhe sipërmarrjet e tyre.

Ata kanë plot ide, pasion dhe energjinë e duhur për ti dhënë një hov të madh pozitiv zhvillimit të vendit. Ne do të çlirojmë tregun nga monopolet që ekonomia jonë të marrë frymë lirisht: me taksa te ulëta, investime në teknologji, dhe një politikë fiskale që mbështet punën. Plani ynë do të krijojë hapësira që kushdo që dëshiron të arsimohet e të punësohet ta bëjë këtë në vendin e vet. Shqiptarët duan një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe që ju bëhet atyre krah, një qeveri që ofron mundësi dhe punë për djemtë dhe vajzat tona! Ditë më të mira”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit edhe pak kohë më parë ka shpalosur programin që Partia Demokratike ka për ekonominë e venit, për bizneset por edhe për sektorin energjetik.