Prej sot nis karantina e dytë në Shqipëri, nga gjobë me para deri në 8 vite burg për ata që do lëvizin pas orareve të lejuara

Sot mis mbyllja e dytë për Shqipërinë prej pandemisë së koronavirusit. Masat për të frenuar përhapjen e koronavirusit kanë hyrë në fuqi ditën e sotme deri më 2 dhjetor. Në dy urdhërat e firmosur nga Ministria e Shëndetësisë specifikohet se të gjithë ata qytetarë që duhet të qarkullojnë pas orës 22:00 duhet të pajisjen me një autorizim nëpërmjet e-albania, në të kundërt do të penalizohen.

Duke nisur nga sot bizneset e llojit bare apo restorante, pas orës 22:00 do të duhet të mbyllin dyert deri në orën 06:00 për çdo ditë, dhe gjithashtu nuk lejohet as qarkullimi i qytetarëve. Masat ndëshkuese që do të merren për ata që nuk i binden karantinës, do të jenë të njëjtat me ato të lëshuara në aktin normativ të datës 25 mars.

Por cilat janë ndëshkimet sipas këtij akti normatitv? Çdo qytetar që shkel orarin policor pa një arsye të domosdoshme dhe pa një autorizim nga e-albania, gjobitet me 10 mijë lekë të reja. Kush lëviz me makinë, pa një autorizim të posaçëm nga e-albania, i hiqet leja e drejtimit.

Të gjithë ata biznese që nuk i binden urdhërit dhe qëndrojnë hapur pas orës 22:00, gjobiten nga 500 mijë lekë deri në 1 milionë lekë të reja. Kush e përsërit shkeljen, i hiqet mundësia për të ushtruar aktivitetin për gjashtë muaj. Çdo i infektuar me Covid-19 që nuk zbaton karantinimin nga pakujdesia merr gjobë deri në vite burg. Ai që e bën me dashje rrezikon 2-5 vite burg. Kur ka pasoja të rënda në njerëz, personi në fjalë rrezikon 3 deri në 8 vite burg.

Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë më testime të dyta. Pas periudhës 12 ditore të gjithë të infektuarit do të mund që t’i rikthehen jetës së përditshme, dhe do të pajisen vetëm me vërtetim nga mjekët e familjes se e kanë kaluar pandeminë.