Plani për të shkrirë LSI, Basha nuk e mohon: Rama ka mbaruar, çfarë thotë sot nuk thotë nesër

Kreu demokrat Lulzim Basha nuk e ka mohuar ekzistencën e një plani për të shkrirë LSI. Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat dje e bëri të qartë se qëllimi i paktit të 17 majit ishte për të dërguar për skrap partinë e Ilir Metës. Mirëpo sipas Ramës, Basha devijoi rrugës duke bërë aleancë me LSI-në. Basha doli pak minuta më pas po në një konferencë për mediat duke iu përgjigjur kryeministrit, por duke mos e mohuar si plan. “Është kaq i lodhur, çfarë thotë sot nuk thotë nesër. Nuk mban më Rama, ka mbaruar është e shkuara. Prandaj nuk po merrem më me të. Tani do të merremi me të ardhmen. Koalicioni që unë drejtoj bashkë me LSI-në do të largojë Ramën më 25 prill. Do të sjellim normalizim, shanse dhe mirëqenie për çdo shqiptar. Marr angazhime të mundshme që Shqipëria të fitojë përmes këtij plani. Është një plan konkret pune, që do të ulë taksat, do të rrisë mirëqenien, do të hapë 110 mijë vende të reja pune dhe do ta bëjë më të përballueshme jetën e shqiptarëve. Këto janë të vërtetat e shqiptarëve dhe jo “gërr-vërret” e një njeriu”, tha Basha.

Programi ekonomik

Sulmet që kryeministri Rama i ka bërë programit ekonomik të PD duke e cilësuar si program pa bosht dhe shtyllë kurrizore, Basha u shpreh se janë sulme që bëhen për të mbyllur dështimin e ekonomisë në këto 8 vite. Kryedemokrati u shpreh se kryeministri Rama dhe ministri Ahmetaj i kanë sjellë Shqipërisë shkatërrimin e ekonomisë dhe largimin e të rinjve nga vendi. Sipas Bashës, qeveria s’ka asnjë bilanc e kjo bën që të shajnë programin e punës së PD dhe ta sulmojnë atë. Ai tha se sulmet janë shtuar vetëm pasi u bë prezantimi i një programi që përfshin gjithë punën që duhet bërë për një vit. “Rama dhe Ahmetaj i sollën Shqipërisë taksa të larta, shkatërrimin e ekonomisë dhe largimin e rinisë. Në 8 vite kishin ekonominë në dorë dhe punuan vetëm për një grusht njerëzish. Këta janë arsyeja që të rinjtë largohen nga vendi dhe familjet kanë më pak para në xhepat e tyre dhe shtresa e mesme taksohet më shumë se në çdo vend tjetër të Ballkanit. Këto janë arsyeja pse kosto e jetës është rritur me 40 %. Kur s’ka bilanc sigurisht që do të shajë e denigrojnë dhe të sulmojë programin tonë të punës dhe më pas ta kopjojë, pasi një kopjac i keq nuk e kalon provimin, ai nuk e kupton në radhë të parë. Sulmet ndaj meje janë intensifikuar pas prezantimit të planit tonë ekonomik, pasi është në plan konkret punë që nuk u bënë 8 vite”, tha Basha.

Basha flet për planin e punës

Kryedemokrati foli dhe për planin e punës që do të vendosi në zbatim nëse ai do të bëhet kryeministër. Basha tha se ky plan pune ka në thelb zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të shkaktuara nga qeveria Rama. Sipas tij ky plan pune është detajuar në atë mënyrë që rezultatet të jenë konkrete jo si Rama që nuk i mban premtimet. “Ne kemi vite që paraqesim ofertën tonë dhe jo premtime. Unë nuk bëj premtime, PD nuk bënë premtime, ky që është shpalosur dhe do të vijojë të shpaloset është angazhim dhe plan pune konkret. Është ky plan pune në qendër të cilit janë hallet e qytetarëve të shkaktuar në 8 vite nga keqqeverisja e Ramës. Ky plan është detajuar si dhe reformat që duhet të ndërmerren që në 4 vite të dalin rezultate konkrete dhe jo premtime të kota si në këto 8 vite nga Rama. Me këtë plan përfitojnë të gjithë vetëm njëri nuk fiton, me këtë plan humb Edi Rama. Koha e tij ka mbaruar më 25 prill Rama do të humb, Shqipëria do të fitojë. Nuk merrem me një qeveri që kanë 8 vite që premtojnë dhe si mbajnë, ka 8 vite që dështojnë”, tha Basha.