Përshkallëzohen tensionet mes dy shteteve! Erdogan del me reagim të ashpër: Do flas me Merkel për tensionet me Greqinë

Tensionet mes Turqisë dhe Greqisë janë përshkallëzuar, pasi Ankaraja rifilloi kërkimet për gaz dhe naftë jashtë ishullit grek Kastellorizo.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se ai do të flasë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe kreun e Këshillit Evropian, Charles Michel, në lidhje me mosmarrëveshjet e fundit me Greqinë.

Turqia dërgoi anijen kërkimore Oruc Reis të shoqëruar nga anijet ushtarake, duke bërë që Greqia të dërgonte anijet e veta në zonë për të monitoruar punën e Turqisë.

Erdogan tha gjatë një takimi të partisë së tij se ai dëshironte që kriza të zgjidhet “përmes dialogut dhe negociatave”, duke akuzuar Athinën për “mungesë vullneti” për të gjetur një zgjidhje, raporton “AFP”.

“Ne gjithmonë kemi kërkuar një zgjidhje në tryezë për problemet me Greqinë. Ne nuk duam të shkelim të drejtat e të tjerëve, por nuk do të lejojmë që një vend tjetër të shkelë të drejtat tona”, – tha ai.