Përmbytjet në vend, IGJEUM jep të dhënat më të fundit për situatën dhe bën paralajmërimin

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka bërë parashikimin e motit për ditën e sotme. Sipas IGJEUM, edhe sot priten reshje intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë dhe Durrës, ndërsa në Tiranë dhe Elbasan priten mesatare. Ndërkohë që në veri dhe lindje në lartësitë mbi 600m, reshjet do të jenë në formë bore.

Sa i përket temperaturave, ato do të variojnë nga 12 / 20 °C në bregdet; në vendet e ulëta: 8 / 17 °C; ndërsa në vendet malore: 0 / 13 °C. Ndërkohë që era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet deri e fortë.

IGJEUM ka përllogaritur edhe situatën e përmbytjeve në vend, ku sërish lumi Drin dhe Buna vazhdojnë që të kenë probleme lokale me përmbytje. Edhe lumenjtë e tjerë vazhdojnë të kenë prurje të larta por nuk priten probleme. Megjithatë intensiteti i lartë në veri-perëndim të vendit mund të krijojë akoma probleme lokale me përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël, përmbytjet urbane dhe rrëshqitje të dherave kryesisht përgjatë datave 10 dhe 11 Janar 2021.