Përlotet Lindita Nikolla: Më shënjoi bash në zemër ky shkrim sot (FOTO)

Ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka publikuar një shkrim në rrjetin e saj social Facebook për babain e saj që ndërroi jetë pak vite më parë.

“Edhe shokët të kujtojnë me mall.

Më shënjoi bash në zemër ky shkrim sot, në këtë Natë Krishtlindje e pesta pa Ty dhe e para pa Ty dhe Mamin.

Faleminderit z. Avni Skenderaj”, shkruan Nikolla.

Ja shkrimi i plotë

Llesh Gjoni- gjithë jetën me sytë nga Qielli shqiptar.

Ky njeri mbajti të pandryshuara e me fanatizëm gjithë jetën tre gjëra të rëndësishme, thjeshtësinë, dialektin në gjuhën e folur, humorin pikant edhe në situatat më të vështira. Besoj se e njoha mirë në punë e përgjegjësi të rëndësishme në vitet kur shërbyem së bashku në komandën e Mbrojtjes Kundërajrore dhe si koleg e mik, mund të shkruaj i shpenguar për figurën dhe kontributet e tij.

Vendlindja e tij është fshati Sheshaj, ngjitur me malin e Kulmes, tre kilometra në perëndim të Rrëshenit, qëndrës së Mirditës.

Në Sheshaj, në 13 shtator 1932 u lind Llesh Gjoni. Aty kaloi fëmijërinë.

Në moshën tetë vjeçare filloi shkollën, kreu pesë klasë dhe në vjeshtë 1946 u caktua mësues në shkollën e Prosekut.

Prej andej në 28 dhjetor 1946, u dërgua në shkollën ushtarake Skënderbej, për tu bere oficer.

Kur u nisa për në Tiranë kujtonte Lleshi “isha veshur me brekushe prej çadre të ushtrisë italiane, të prera e të qepura me dorë nga nëna ime, xhamadan, brez, këmishë, opinga me lëkurë derri me gjalm dhe kësulë të bardhë”.

Në janar1950, vijoi studimet në Shkollën e Bashkuar, me rezultate të shkëlqyera, iu dha grada toger dhe u emërua oficer komandues në atë shkollë.

Në 1953-1955, studjoi në Institutin juridik.

Në maj 1955, u trasferua në regjimentin e aviacionit Kuçovë, me detyrë aviodrejtues(shtruman).

Për shtruman kishte kryer në Laprakë një kurs 6 mujor.

Në janar 1956, shef i vendkomandës së regjimentit dhe në shtator 1957 u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik.

Në 1959 kthehet në atdhe i afirmuar si aviodrejtues dhe emerohet në Vendkomandën Qendrore të MKA me detyrë shef i grupit të drejtimit të aviacionit. Ishte zëri më i ëmbël e më i besushëm për çdo pilot në fluturim.

Në 1968 u emërua shef i Vendkomandës Qendrore të MKA dhe prej 1978-1988 shef i shërbimit të kushtrimit ajror në Komandën e MKA.

Mirëditori Llesh Gjoni, gjatë 42 viteve në uniformë ushtarake, 37 vjetë në detyra të vështira si oficer, ka kontribute të rëndësishme veçanërisht në drejtimin tepër profesional të Vendkomandës Qendrore të Mbrojtjes Kundërajrore e Aviacionit, si dhe për organizimin e shërbimit të Kushtrimit Ajror për Forcat e Armatosura e popullsinë, kur vendi mbrohej ndryshe.

Ai u nda nga jeta në 9 dhjetor 2015.

Ushtaraku Llesh Gjoni dhe Vendkomanda Qendrore e Mbrojtjes Kundërajrore të Shqipërisë, mbetën sinonim i njeri-tjeërit.

Nga libri ” Portrete ushtarakësh te Mbrojtjes Kunderajrore te Shqiperise, ne vite”.